Karakaçi: Familjarët dhe bizneset e vogla do të vijojnë të mbrohen me çmime të rregulluara të energjisë

Nga D. V.
750 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Tiranë, 16 qershor, Zhurnal.mk – Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Enea Karakaçi deklaroi sot se projektligji i ri “Për sektorin e energjisë elektrike” garanton ruajtjen e mekanizmave mbrojtës për familjarët dhe bizneset e vogla, duke mundësuar vijimin e çmimeve të rregulluara të energjisë elektrike edhe në kushtet e liberalizimit të tregut.

Gjatë prezantimit të projektligjit në Komisionin për Burimet Natyrore, Infrastrukturën dhe Zhvillimin e Qëndrueshëm, Karakaçi theksoi se, megjithëse parimi bazë i legjislacionit evropian është tregu i lirë i energjisë, Shqipëria ka negociuar me institucionet evropiane për të ruajtur mbrojtjen e kategorive më të ndjeshme të konsumatorëve.

“Ne kemi bërë një negociatë të gjatë me Sekretariatin e Komunitetit të Energjisë dhe Komisionin Evropian që të kemi një klauzolë të zgjeruar të detyrimit të shërbimit publik, e cila mbron familjarët dhe bizneset e vogla me çmime të rregulluara që mund të jenë më të ulëta se çmimet e tregut”, u shpreh ministri.

Sipas Karakaçit, çmimet e energjisë për familjarët dhe bizneset e vogla do të vijojnë të përcaktohen nga Enti Rregullator i Energjisë (ERE) në kuadër të detyrimit të shërbimit publik, mekanizëm që synon mbrojtjen e konsumatorëve nga luhatjet e tregut të lirë.

“Parimi është tregu i lirë, por ne kemi siguruar që familjet dhe bizneset e vogla të vazhdojnë të mbrohen nga mekanizmat e çmimeve të rregulluara”, tha ai.

Duke folur për rëndësinë më të gjerë të projektligjit, Karakaçi theksoi se ai do të shërbejë si baza kryesore për rregullimin e sektorit të energjisë elektrike në dekadën e ardhshme.

“Reformat në sektorin energjetik janë reforma dekadash. Para këtij ligji kemi pasur ligjin e vitit 2015 dhe më herët atë të vitit 2003. Ky projektligj do të bëjë rregullimin e sektorit të energjisë elektrike për dekadën që vjen”, deklaroi ministri.

Sipas tij, rëndësia e projektligjit shtrihet në dy plane kryesore: integrimin evropian dhe modernizimin e tregut energjetik shqiptar.

Karakaçi nënvizoi se projektligji përbën një nga elementët më të rëndësishëm të Kapitullit 15 të negociatave me Bashkimin Evropian për energjinë dhe njëkohësisht është pjesë e Planit të Rritjes së BE-së (Growth Plan) për Ballkanin Perëndimor.

“Me miratimin e këtij ligji lidhet edhe një komponent financiar në formën e një granti nga Bashkimi Evropian”, tha ai.

Ministri vuri në dukje se Shqipëria ka marrë mbështetje të plotë nga Sekretariati i Komunitetit të Energjisë dhe Komisioni Evropian për këtë projektligj.

“Projektligji është konfirmuar si plotësisht në përputhje me kërkesat dhe direktivat e Bashkimit Evropian. Jo të gjitha shtetet kanë arritur ta marrin këtë konfirmim. Serbia, për shembull, e ka miratuar ligjin përkatës para nesh, por i është kërkuar amendimi i tij për ta harmonizuar me direktivat evropiane”, tha Karakaçi.

Ai shtoi se ligji i ri modernizon sektorin energjetik, forcon rolin e konsumatorit dhe krijon mekanizma të rinj për zhvillimin e tregut.

Një pjesë e rëndësishme e projektligjit lidhet me forcimin e kuadrit institucional të sektorit. Ministri theksoi se ligji garanton pavarësinë e plotë të Entit Rregullator të Energjisë (ERE), në përputhje me standardet evropiane.

“Raportet e Sekretariatit të Komunitetit të Energjisë konfirmojnë se Shqipëria ka arritur të sigurojë pavarësinë institucionale të ERE-s sipas standardeve të kërkuara nga Bashkimi Evropian”, tha ai.

Projektligji rregullon në mënyrë të detajuar veprimtarinë e operatorëve të sistemit të transmetimit dhe shpërndarjes, furnizimin me energji elektrike, si dhe sjell disa koncepte të reja për tregun shqiptar të energjisë.

Ndër risitë kryesore, Karakaçi përmendi përfshirjen për herë të parë në legjislacion të konceptit të depozitimit dhe ruajtjes së energjisë elektrike.

“Në ligjin ekzistues mungonte koncepti i depozitimit të energjisë elektrike. Tashmë krijohet baza ligjore për zhvillimin e kapaciteteve të ruajtjes së energjisë”, deklaroi ai.

Po ashtu, projektligji parashikon mekanizma të rinj si agregimi i prodhuesve-konsumatorë, duke u krijuar mundësi qytetarëve dhe bizneseve që prodhojnë energji të bashkohen për të menaxhuar dhe tregtuar energjinë e tepërt.

Një tjetër risi është përfshirja e konceptit të komuniteteve të energjisë.

“Vetëprodhuesit do të kenë mundësinë të bashkohen dhe të krijojnë komunitete energjie për prodhim, konsum dhe shitje të energjisë elektrike”, sqaroi ministri.

Projektligji adreson gjithashtu për herë të parë në mënyrë të posaçme veprimtarinë e stacioneve të karikimit të automjeteve elektrike.

“Karikimi i mjeteve elektrike nuk ka pasur një rregullim të dedikuar ligjor. Tashmë kjo veprimtari do të ketë kuadër të qartë rregullator”, tha Karakaçi.

Në fushën e tregut të energjisë, projektligji harmonizon funksionimin e tregut me mekanizmat e Bashkimit Evropian dhe konsolidon rolin e bursës shqiptare të energjisë, ALPEX.

Sipas ministrit, ligji përcakton tre segmente kryesore të tregtimit të energjisë: tregun afatgjatë, tregun e ditës në avancë (day-ahead market) dhe tregun brenda ditës (intra-day market).

“Këto mekanizma u japin tregtarëve fleksibilitet më të madh për të menaxhuar dhe tregtuar energjinë sipas nevojave të tregut”, theksoi ai.

Karakaçi shtoi se projektligji vendos konsumatorin në qendër të sistemit energjetik, duke i garantuar të drejtën për të zgjedhur lirisht furnizuesin e energjisë elektrike pa kosto shtesë.

“Çdo konsumator do të ketë mundësinë të ndërrojë furnizuesin e energjisë sipas kushteve të tregut, duke rritur konkurrencën dhe cilësinë e shërbimit”, deklaroi ministri Karakaçi.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër