Qindra emigrantë shpëtohen në ujërat pranë Kretës

Nga D V
600 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Athinë, 10 qershor, Zhurnal.mk – Roja bregdetare greke ka shpëtuar pothuajse 550 emigrantë, përfshirë dhjetëra të mitur, gjatë 48 orëve të fundit në disa operacione të zhvilluara në detin në jug të ishullit të Kretës dhe ishullit të vogël Gavdos, njoftuan sot autoritetet.

Burime të rojes bregdetare thanë se aktualisht një numër i madh mjetesh lundruese po lëvizin nga Libisë drejt Kretës, duke reflektuar presionin në rritje të fluksit të migrantëve në këtë rrugë detare.

Operacioni më i madh u zhvillua dje në jug të Kretës, ku 192 persona, mes tyre 42 të mitur, u shpëtuan nga një anije peshkimi dhe u transportuan në tokë. Sipas dëshmive të emigrantëve, ata ishin nisur nga brigjet libiane dhe kishin paguar rreth 3 000 dollarë secili tek trafikantët për kalimin drejt Evropës.

Rruga detare prej rreth 300 kilometrash nga Libia drejt Kretës po përdoret gjithnjë e më shumë nga rrjetet e kontrabandës së emigrantëve.

Ministri grek i Migracionit, Thanos Plevris, deklaroi së fundmi se më shumë se gjysmë milioni njerëz ndodhen aktualisht në Libi duke pritur mundësinë për të udhëtuar drejt Evropës.

Ndërkohë, parlamenti grek ratifikoi mbrëmë rregullat e reja të Bashkimit Evropian për migracionin dhe azilin. Ligji pritet të hyjë në fuqi të premten dhe parashikon, ndër të tjera, krijimin e qendrave të pritjes në vende jashtë Bashkimit Evropian.

Autoritetet greke kanë nisur bisedime me dy shtete afrikane për zbatimin e këtyre masave, ndërsa Athina përballet me një rritje të vazhdueshme të mbërritjeve të emigrantëve nga brigjet e Afrikës Veriore.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër