Shkup, 3 shtator, Zhurnal.mk – Kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami, së bashku me ambasadorin e Austrisë në Maqedoninë e Veriut, Martin Pammer, përfaqësues të institucioneve dhe organizatave, dolën në terren për të parë nga afër dëmet e shkaktuara në shenjat dimërore përgjatë shtegut nga Kodra e Diellit deri te Maja e Titos.
Kasami e cilësoi këtë si një akt të papërgjegjshëm ndaj pasurisë dhe natyrës, duke theksuar se vendet turistike dhe në përgjithësi Sharra duhet të mbrohen dhe të ruhen si pasuri e përbashkët dhe pjesë e rëndësishme e zhvillimit të turizmit.
“Së bashku me Ambasadorin e Austrisë, z. Martin Pammer, përfaqësues të institucioneve dhe organizatave dolëm në terren për të parë nga afër dëmet e shkaktuara respektivisht prishjen e shenjave dimërore përgjatë shtegut nga Kodra e Diellit deri te Maja e Titos!”, ka shkruar Bilall Kasami.
Ai shtoi se bashkë me Parkun Nacional, ambasadorin austriak dhe institucionet përkatëse do të vazhdojnë të kujdesen dhe të investojnë në zhvillimin e turizmit malor, duke krijuar kushte sa më të mira për vizitorët dhe turistët.
“Ky është një akt i papërgjegjshëm ndaj pasurisë dhe natyrës. Vendet turistike dhe në përgjithësi Sharrin duhet ta mbrojmë dhe do ta ruajmë së bashku sepse është pasuri e përbashkët dhe pjese e rëndësishme e zhvillimit të turizmit. Së bashku me Parkun Nacional, ambasadorin austriak dhe të gjitha institucionet do të vazhdojmë të përkujdesemi dhe të investojmë në zhvillimin e turizmit malor dhe krijimin e kushteve sa më të mira për turistët!”, ka shkruar Kasami.
