Kasami: Tetova nikoqire e dialogut ndërkomunal për parandalimin dhe trajtimin e dhunës në familje dhe dhunës me bazë gjinore

Nga D V
19 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Shkup, 24 shtator, Zhurnal.mk – Tetova ishte sot nikoqire e një takimi të rëndësishëm ndërkomunal kushtuar forcimit të bashkëpunimit institucional dhe shkëmbimit të përvojave në parandalimin dhe trajtimin e dhunës në familje dhe dhunës me bazë gjinore.

Në këtë takim morën pjesë përfaqësues të Misionit të OSBE-së në Shkup, Misionit të OSBE-së në Kosovë dhe Pranisë së OSBE-së në Shqipëri, si dhe kryetari i Komunës së Dragashit, Bexhet Xheladini. Diskutimet u fokusuan në përmirësimin e koordinimit ndërinstitucional dhe ndarjen e praktikave të mira për mbështetjen dhe mbrojtjen e viktimave.

Kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami, theksoi rëndësinë e bashkëpunimit rajonal në adresimin e këtyre sfidave shoqërore, duke nënvizuar se institucionet duhet të veprojnë të koordinuara për të siguruar mbështetje sa më efektive për qytetarët.

Komuna e Tetovës, në bashkëpunim me Qendrën e Strehimit “Etika”, Qendrën për Këshillim Psikologjik “Cortex”, Qendrën për Punë Sociale, Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe organizatat e shoqërisë civile, vazhdon të angazhohet në ofrimin e mbështetjes, mbrojtjes dhe fuqizimit të viktimave të dhunës.

Pjesëmarrësit vlerësuan se ky dialog përbën një hap të rëndësishëm drejt thellimit të bashkëpunimit ndërmjet Tetovës, Dragashit dhe Kukësit, me synimin për të ndërtuar institucione më të koordinuara dhe për të ofruar shërbime më cilësore për qytetarët.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër