Këlliçi: Aksioni në “Prestige Resort” është një akt kundër lirisë së shprehjes

Nga Xh M
1,257 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Tiranë, 19 korrik Zhurnal.mk – Nënkryetari i Partisë Demokratike, Belind Këlliçi, ka reaguar pas aksionit të ndërmarrë nga administrata tatimore në ambientet e “Prestige Resort”, duke e cilësuar atë një sulm politik të drejtuar ndaj televizionit News24.

Në një postim në rrjetet sociale, Këlliçi pretendon se qëllimi i vërtetë i kontrollit nuk lidhet me aktivitetin e resortit, por me faktin se News24 ka transmetuar protestën e qytetarëve që prej ditës së parë.

Sipas tij, ky veprim është një përpjekje për të goditur lirinë e medias dhe për të ushtruar presion ndaj zërave kritikë.

“Inspektimi në Prestige Resort, me qëllimin për të shkaktuar dëm, është qartazi një goditje e urdhëruar nga Edi Rama për të sulmuar median News24. Problemi nuk qëndron te aktiviteti i resortit. Problemi qëndron te News24, e cila transmeton që prej ditës së parë protestën ku kërkohet dorëheqja e Edi Ramës”, shprehet Këlliçi.

Nënkryetari i PD-së e cilëson aksionin si pjesë të presionit ndaj protestës qytetare, duke e konsideruar atë një akt kundër lirisë së shprehjes.

Ai dënon atë që e quan “sulm politik” ndaj News24 dhe u bën thirrje partnerëve ndërkombëtarë të reagojnë ndaj, sipas tij, arbitraritetit të qeverisë.

“Ky akt i sotëm i autokratit në ikje është thjesht një prej instrumenteve që ai po përdor prej 50 ditësh për të shtypur revoltën. Është një akt kundër lirisë së shprehjes dhe një tjetër goditje ndaj fjalës së lirë. E dënoj sulmin politik ndaj News24 dhe çdo media tjetër, si dhe u bëj thirrje partnerëve ndërkombëtarë të mbajnë qëndrim ndaj arbitraritetit të Kryeministrit”, shkruan Këlliçi.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër