Kërçovë, 17 shkurt – Për të tretën ditë me radhë ekipet zjarrfikëse dhe Ndërmarrja Komunale po mundohen të pastrojnë lagjet e përmbytura në Kërçovë. Komandanti i zjarrfikëseve të Kërçovës Filip Mitrevski tha se terreni më i vështirë për pastrim ka qenë lagja Prilepska. Ndërkaq thotë se për shkak të kapaciteteve jo të larta të këtij njësiti për situata të këtilla, në ndihmë ju kanë dalë Manastiri dhe Kavadarci.
“Pjesa më e vështirë ishte lagja Prilepska dhe atje kishim edhe evakuuimin të 100% të popullatës, kishte vërshime edhe në Lagjen Podvarosh dhe Karposh, megjithatë këtu ka më shumë dëme materiale ujë nëpër bodrume”, tha Filip Mitrevski.
Kryetari Komunës së Kërçovës Aleksandër Jovanovski thotë se ka përpiluar një projekt për zgjidhjen e kësaj situate me përmbytjet e cila ndodh gati çdo vit në Kërçovë.
“Unë kam projekt i cili mund të them lirisht është 99% gati për kompletimin dhe rregullimin e shtratit të Lumit, dislokimin e atyre objekteve dhe atyre shtëpive në lagjen Prilepska të cilat janë pa leje dhe të paligjshme, një pjesë e tyre do të largohen dhe do të bëjmë rregullimin e shtratit të lumit me të gjitha elementet urbanistike, ulëse, shteg për biçikleta, shtrat betoni do ta bëjmë një vend që qytetarët të kënaqen”, tha Aleksandër Jovanovski
Janë 63 familje të evakuuara në sallën e sportit ne Ivanidoll, për të cilët Kryqi i Kuq ju qëndron aty 24 orë duke i pajisur me ushqime, veshmbathje dhe gjithçka për çfarë ata kanë nevojë.
“Për momentin ne kemi rreth 63 familje të evakuuara janë 250 persona nga të cilët rreth 67 janë fëmijë dhe të tjerët janë të rritur. Ne ju japim 3 herë në ditë vakte ushqimore mëngjes dark dhe drekë dhe tentojmë të jenë vakte të ngrohta në bashkëpunim me komunën, Tec Osllomen dhe donatorët lokal”, deklaroi Besnik Selimi.
Sipas të gjitha gjasave mendohet që personat e evakuuar do të qëndrojnë në sallën Ivanidoll së paku edhe 10 ditë të tjera, sepse lagja Prilepska është në gjendje katastrofale.
