Shkup, 28 tetor, Zhurnal.mk – “Sezoni i gripit është më i theksuar në janar dhe shkurt. Vaksinimi i kryer deri në javën e parë të janarit siguron mbrojtje në kohë. Sllovenia dhe Kroacia do ta fillojnë vaksinimin në nëntor – dhe kjo nuk është vonë. Ka vaksina të mjaftueshme për të gjithë qytetarët e regjistruar, prandaj u bëj thirrje qytetarëve të kenë durim – secili do të thirret për një termin. Gjithashtu, nga kjo javë, ekipet e qendrave shëndetësore po kryejnë vaksinimin në shtëpitë e të moshuarve, ndërsa nga java e ardhshme edhe në qendrat e dializës”, deklaroi ministri i Shëndetësisë, Sasho Klekovski.
Sipas Ministrisë së Shëndetësisë, që nga fillimi i fushatës më 14 tetor e deri më tani janë regjistruar gjithsej 66.821 qytetarë, me një mesatare prej 4.455 aplikimesh në ditë. Pjesa më e madhe e të regjistruarve janë persona mbi 65 vjeç, të ndjekur nga personat me sëmundje kronike.
Numri më i madh i aplikimeve është regjistruar në Shkup (19.767), Manastir (4.845), Prilep (3.844), Strumicë (3.585) dhe Tetovë (3.581).
Deri më tani, sipas njoftimit, janë caktuar 6.710 termine dhe janë vaksinuar 3.266 qytetarë. Gjatë tri ditëve të fundit të punës, janë vaksinuar rreth 1.000 persona në ditë.
“Realizimi i termineve që tashmë kanë kaluar është 86,7 për qind, ndërsa 503 qytetarë (13,3 për qind) nuk janë paraqitur në terminin e caktuar. U bëjmë thirrje qytetarëve që nuk mund të paraqiten në kohë ta anulojnë terminin, në mënyrë që ai t’i caktohet një qytetari tjetër të regjistruar.
Sot do të fillojë caktimi i një grupi të ri terminesh, me çka numri do të rritet në rreth 1.700 vaksinime në ditë.
Sot është lidhur kontratë për 26.000 vaksina shtesë nga prodhuesi Sanofi, të cilat do të mbërrijnë deri më 15 nëntor. Kështu, deri më tani janë siguruar gjithsej 56.000 vaksina, ndërsa janë paralajmëruar edhe 30.000 doza të tjera deri në fund të nëntorit.
Me këtë, do të sigurohen gjithsej 86.000 vaksina – numri më i madh deri më tani dhe rreth 20.000 më shumë sesa numri i qytetarëve të regjistruar aktualisht.”
