Shkup, 28 tetor, Zhurnal.mk – Qeveria planifikon të investojë në dy rrugë të reja ekspres që do ta lidhin Maqedoninë e Veriut me Bullgarinë, përkatësisht në relacionet Koçan–Vinicë–Dellçevë dhe Radovish–Strumicë–Novo Sellë, ndërsa realizimi i projekteve varet nga sigurimi i financimit. Këtë e bëri të ditur zëvendëskryeministri dhe ministri i Transportit, Aleksandar Nikolloski, i cili gjithashtu paralajmëroi vazhdimin e projekteve hekurudhore përgjatë Korridorit 8 dhe ftoi kompanitë gjermane të marrin pjesë në tenderin për fazën e tretë të lidhjes hekurudhore me Bullgarinë.
“Po realizojmë agjendën ambicioze që kemi për zhvillimin infrastrukturor të vendit. Po ndërtojmë autostrada dhe hekurudha të reja, duke krijuar kushte konkurruese për tërheqjen e investitorëve të rinj, por njëkohësisht po përpiqemi t’i mbajmë edhe investitorët ekzistues”, deklaroi zëvendëskryeministri dhe ministri i Transportit, Aleksandar Nikolloski, në takimin me Dhomën Ekonomike Gjermane dhe Shoqatën Ekonomike Maqedonase-Gjermane.
“Përpiqemi, aq sa kemi mundësi, t’i ndihmojmë investitorët e huaj të drejtpërdrejtë që të kenë një klimë sa më të favorshme në vend. Gjithashtu, dëshirojmë të motivojmë edhe investitorë të rinj që të vijnë. Sa u përket planeve për të ardhmen, kemi një fushatë mjaft ambicioze investimesh në infrastrukturë, e cila tejkalon ndjeshëm një përqindje të arsyeshme të investimeve në raport me bruto prodhimin vendor ose gjendjen e buxhetit. Nëse i shikoni investimet kapitale nga buxheti, apo ato që realizohen nga ndërmarrjet publike në pronësi të plotë shtetërore, do të shihni se pjesa më e madhe lidhet pikërisht me këtë sektor”, u tha Nikolloski kompanive të pranishme.
Ai shtoi se po punohet për lidhjen hekurudhore të Korridorit 8 dhe për ndërtimin e segmenteve të autostradave përgjatë korridoreve, ndërsa paralajmëroi edhe ndërtimin e rrugëve të reja ekspres.
“Për momentin kemi një thirrje për seksionin e tretë të lidhjes hekurudhore me Bullgarinë. Tenderi është publikuar nga Departamenti i Prokurimit Publik i Bashkimit Evropian, pra në mënyrën më transparente të mundshme. Afati zgjat katër muaj. E kemi vendosur qëllimisht një afat më të gjatë, në mënyrë që më pas të mos ketë arsyetime se nuk ka pasur kohë të mjaftueshme për përgatitjen e ofertës brenda një apo dy muajve. Presim që në këtë tender të marrin pjesë edhe kompanitë gjermane.
Në bashkëpunim me BE-në, në kuadër të Planit të Rritjes, po punohet për zhvillimin e krahut qendror të Korridorit 8. Faza e parë përfshin rikonstruktimin dhe modernizimin e hekurudhës në relacionin Shkup–Jegunovcë–Tetovë–Gostivar. Faza e dytë përfshin relacionin Gostivar–Kërçovë, ndërsa faza e tretë parasheh ndërtimin e një segmenti krejtësisht të ri, i cili aktualisht nuk ekziston dhe që do të kalojë në relacionin Kërçovë–Ohër–Strugë–kufiri me Shqipërinë.
Gjithashtu, pres që vitin e ardhshëm, nëse sigurojmë financimin, të kemi dy projekte të mëdha në pjesën lindore të vendit: dy rrugë të mëdha ekspres që do të na lidhin me Republikën e Bullgarisë. Njëra do të kalojë në relacionin Koçan–Vinicë–Dellçevë–kufiri me Bullgarinë, ndërsa tjetra në relacionin Radovish–Strumicë–Novo Sellë–kufiri me Bullgarinë. Këto janë mundësi shtesë që po hapen përpara nesh”, theksoi zëvendëskryeministri Nikolloski.
