Klopp publikon listat e para me Gjermaninë – në mesin e tyre edhe talenti i njohur shqiptar

Nga D V
9 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Përzgjedhësi i Gjermanisë, Jurgen Klopp, ka bërë publike të enjten listat e tij të para për katër ndeshjet e ardhshme të Ligës së Kombeve, duke përfshirë në mesin e 44 lojtarëve edhe futbollistin me prejardhje shqiptare, Brajan Gruda.

Klopp ka vendosur t’i ndajë futbollistët në dy grupe për katër ndeshjet e Gjermanisë. Lista e parë, e përbërë nga 24 lojtarë, do të jetë në dispozicion për dy përballjet e para ndaj Holandës më 24 shtator dhe Greqisë më 27 shtator.

Në listën e dytë, ku bëjnë pjesë 20 futbollistë, është edhe Gruda. Ky grup do të grumbullohet për ndeshjen ndaj Serbisë më 1 tetor dhe për përballjen e dytë me Greqinë, më 4 tetor.

Për Grudën, përfshirja në listën e parë të Kloppit përbën një moment të rëndësishëm në karrierën e tij, pasi ai synon të fitojë një rol në ekipin e parë të Gjermanisë.

22-vjeçari është pjesë e Brightonit dhe aktualisht luan si i huazuar te Leipzigu. Para transferimit në Bundesligë, Gruda u zhvillua në futbollin gjerman dhe kaloi nëpër grupmoshat e kombëtareve të Gjermanisë.

Thirrja e tij vjen në një moment të veçantë edhe për kombëtaren gjermane, pasi Klopp është duke nisur zyrtarisht aventurën e tij si përzgjedhës i “Panzerëve”.

Ish-trajneri i Liverpoolit ka marrë detyrën me synimin për të nisur një kapitull të ri te Gjermania pas Botërorit 2026.

Ndeshja e parë e Gjermanisë nën drejtimin e Kloppit do të jetë ajo ndaj Holandës në Amsterdam, më 24 shtator, ndërsa katër ditë më vonë “Panzerët” do të përballen me Greqinë në Augsburg.

Më 1 tetor, Gjermania pret Serbinë në Mynih, para se të udhëtojë në Selanik për ndeshjen e dytë ndaj Greqisë, më 4 tetor.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër