Koçiu: Financimet rajonale për klimën, investime në sigurinë e përbashkët

Nga D. V.
476 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Tiranë, 5 maj, Zhurnal.mk – Zëvendëskryeministrja Albana Koçiu nënvizoi sot rëndësinë e bashkëpunimit rajonal për mbrojtjen e klimës, ndërsa theksoi se rajoni i Ballkanit Perëndimor humbet çdo vit 1-1.5% të Prodhimit të Brendshëm Bruto për shkak të fatkeqësive të lidhura me klimën.

Në konferencën rajonale mbi klimën që po zhvillon punimet në Tiranë, Koçiu theksoi se klima nuk na lë asnjë alternativë tjetër përveç se të jemi të bashkuar.

“Përmbytjet e dimrit të kaluar nuk ndaluan në kufi duke kërkuar pasaportë, stuhitë nuk pyetën nëse pemët ishin shqiptare, malazeze apo më gjerë në rajon. Ndaj pyetja është ‘a jemi mjaftueshëm të bashkuar dhe a jemi në kohë”, tha Koçiu.

Zv/kryeministrja theksoi se rruga drejt BE-së dhe qëndrueshmëria klimatike janë në thelb e njëjta gjë, sepse duhet të bëjmë atë që BE bën më mirë të ndajmë burime, të dhëna, përgjegjësi dhe mbi të gjitha vendimmarrje.

“Sot në çdo tryezë europiane ku diskutohet e ardhmja e rajonit tonë, klima nuk është më një temë në fund të agjendës, por është një temë në qendër të çdo agjende. Kjo tregon diçka shumë të rëndësishme për BE-në”, tha Koçiu.

Ky sipas zv/kryeministres, nuk është vetëm një projekt ekonomik dhe institucional por është një mënyrë e të menduarit për të zgjidhur së bashku gjërat.

“Ne, në Ballkanin Perëndimor jemi shumë të zotë, vazhdojmë të jemi shumë të zotë në hartimin e strategjive, dokumenteve, politikave, planeve dhe agjendave. Nëse klima do të ftohet nga këto dokumente ne do të ishim rajoni më i ftohtë në botë. Por klima nuk ftohet nga këto”, tha Koçiu.

Ajo që kërkohet sipas saj, janë investime reale në tubacione dhe diga që i qëndrojnë kohës, në sensorë dhe sisteme parandalimi, në ekspertë të trajnuar dhe fermerë që dinë të përshtaten dhe në institucione që reagojë në kohë.

Koçiu theksoi se pa financim real çdo diskutim mbetet thjesht një bisedë e mirë.

“Financimi i klimës nuk është bamirësi, është investim në sigurinë e përbashkët”, shtoi ajo.

Së dyti, Koçiu nënvizoi rëndësinë e të dhënave, pasi sipas saj, “nuk mund të menaxhosh atë që nuk mat dot”.

“Shërbimet meteorologjike dhe sistemet e të dhënave janë sistemi nervor i qëndrueshmërisë ndaj duhet bashkëpunimi real që funksionon në të vërtetë, që paralajmëron, reagon, koordinon dhe financon përtej kufijve”, tha Koçiu.

Koçiu theksoi po ashtu rëndësinë e ndarjes së eksperiencave dhe standardeve dhe praktikave më të mira mes vendeve të rajonit për sa i përket parandalimit dhe menaxhimit të fatkeqësive të krijuara nga ndryshimet klimatike.

“Shqipëria nuk është këtu për të dhënë mësime. Jemi këtu për të mësuar dhe shkëmbyer eksperienca nga përvojat tona të kaluara. Kemi kaluar përmes krizave, përmbytjeve, tërmeteve, zjarreve dhe sigurisht kemi nxjerrë mësime. I kemi reflektuar në dokumentet strategjikë. Ndërkohë aspirata jonë e sotme është përveç shkëmbimit të mësimeve të nxëna, patjetër edhe të mësojmë nga praktikat më të mira”, tha Koçiu.

Në këtë drejtim, Koçiu theksoi rëndësinë e investimit në sisteme paralajmërimi në mbrojtjen civile, teknologji dhe inovacion.

“Asgjë nuk funksionon vetëm për një vend. Ose funksionon për të gjithë rajonin, ose nuk funksionon fare. Ndaj konferenca është një zgjidhje për të mos pritur që dikush tjetër të zgjidhë problemet tona por për t’i përballuar ato së bashku sepse në fund klima nuk do të na japë një mundësi të dytë”, tha Koçiu.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër