Shkruan: Bexhet Musliu, themelues i Agjencisë Zhurnal
Shkup, 17, qershor – Kur Azir Aliu u emërua ministër i Shëndetësisë, një nga argumentet kryesore të VLEN-it, ishte se përvoja e tij në fushën e teknologjisë, inovacionit dhe transformimit digjital. Për herë të parë, në krye të një sektori kaq të rëndësishëm u vendos një profil që premtonte modernizim, efikasitet dhe një qasje të re në menaxhimin e sistemit shëndetësor.
Pikërisht për këtë arsye, pritjet në opinion ishin të larta. Qytetarët prisnin që teknologjia të mos mbetej vetëm një slogan politik, por të shndërrohej në zgjidhje konkrete për problemet që prej vitesh e rëndojnë shëndetësinë publike.
Por sot, pas vite në krye të Ministrisë së Shëndetësisë, pyetja që shtrohet është e thjeshtë: çfarë ka ndryshuar realisht?
Nëse i pyesim pacientët, shumica prej tyre vazhdojnë të përballen me të njëjtat vështirësi administrative, me të njëjtat procedura burokratike dhe me të njëjtat pritje të gjata për shërbime shëndetësore. Nëse i pyesim mjekët dhe personelin shëndetësor, shumë prej tyre ende punojnë me sisteme që nuk komunikojnë plotësisht mes vete, me procese që kërkojnë kohë dhe me ngarkesa administrative që mund të reduktoheshin përmes teknologjisë.
Qytetarët ende nuk kanë parë ndryshimin që u premtua
Është e vërtetë që ministri Aliu ka folur vazhdimisht për transformimin digjital të sistemit shëndetësor. Janë paralajmëruar projekte, platforma dhe zgjidhje të reja teknologjike. Por një pjesë e madhe e këtyre nismave vazhdojnë të mbeten në fazën e planeve dhe prezantimeve publike.
Shëndetësia është sektor ku rezultatet duhet të jenë të dukshme çdo ditë. Pacienti nuk e ndjen digjitalizimin përmes strategjive apo dokumenteve. Ai e ndjen kur nuk ka nevojë të endet nga një sportel në tjetrin. E ndjen kur sistemi funksionon pa vonesa. E ndjen kur informacionet e tij janë të qasshme dhe të integruara në mënyrë efikase.
A ka ndodhur kjo?
Deri më tani, përgjigjja duket të jetë: jo në masën që u premtua.
Kjo nuk do të thotë se transformimi digjital është i pamundur apo se nuk duhet të vazhdojë. Përkundrazi. Shëndetësia maqedonase ka nevojë më shumë se kurrë për modernizim, automatizim dhe sisteme inteligjente që do të rrisin cilësinë e shërbimeve.
Por pikërisht për shkak të kësaj nevoje, pritjet ndaj Azir Aliut ishin më të mëdha se ndaj çdo ministri tjetër. Ai nuk erdhi në këtë post si një politikan tradicional. Ai erdhi si një ekspert i teknologjisë, si dikush që premtoi se do të sillte një qasje të re.
Edhe VLEN, i besonte Azir Aliut!
Më 29 maj, 2025, në një komunikat për media nga VLEN, u tha se “…kandidatura jonë për Ministër të Shëndetësisë është Azir Aliu, një profesionist i dëshmuar dhe vizionar në fushën e teknologjisë dhe organizimit modern të shërbimeve shëndetësore.
Azir Aliu vjen me një qasje moderne dhe të domosdoshme për kohën që po jetojmë. Prioritet i tij si ministër do të jetë digjitalizimi i plotë i sistemit shëndetësor, duke garantuar transparencë, efikasitet dhe qasje të lehtësuar për të gjithë qytetarët. Tani është koha për një shëndetësi moderne, efikase dhe të digjitalizuar, dhe me këtë ekip, kjo do të realizohet.”. thanë nga VLEN.
Edhe Ministri i Shëndetësisë, Azir Aliu, gjatë panairit “Health Innovation Expo 2025”, premtoi se do të ndërtohet një sistem modern digjital ku “të dhënat do të lëvizin bashkë me pacientin, jo pacienti me të dhënat”, ndërsa mjekët do të kenë qasje të menjëhershme në historinë mjekësore të çdo qytetari.
Aliu deklaroi gjithashtu se Ministria po punon për integrimin e të gjitha institucioneve shëndetësore në një sistem të vetëm, zhvillimin e telemjekësisë, përdorimin e inteligjencës artificiale në zbulimin e hershëm të sëmundjeve dhe krijimin e një dosjeje kombëtare elektronike për çdo qytetar.
Mirëpo sot, në prag të rikonstruimit qeveritar, edhe pas këtij dështimi, ministri deklaron se pret të mos preket nga ndryshimet dhe se performanca do të jetë kriteri kryesor i vlerësimit.
Por shtrohet pyetja se kush do ta bëjë vlerësimin , VLEN, apo VMRO-ja!
