Koçiu në “Qendrën e Mirëpritjes” në Sarandë: Bashkon infrastrukturën moderne me traditën e mikpritjes shqiptare

Nga D. V.
234 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Tiranë, 13 maj Zhurnal.mk – Zëvendëskryeministrja Albana Koçiu vizitoi sot “Qendrën e Mirëpritjes” në Sarandë, një hapësirë multifunksionale që do të hapet së shpejti dhe bashkon infrastrukturën moderne dhe standardet europiane me traditën e mikpritjes shqiptare.

E shoqëruar nga kryetari i bashkisë Sarandë, Oltion Çaçi, Koçiu pa nga afër godinën e re ku ka 100 vende parkimi publik, dedikuar autobusëve dhe makinave private.

Ndërsa e cilësoi si portën e parë të mikpritjes, Koçiu u shpreh se ky është një investim në një pronë tërësisht publike, që ka të bëjë me parkimin e vizitorëve dhe turistëve që duan të vizitojnë Sarandën.

“Është trajtuar jo vetëm si një vend parkimi, por ndërkohë ofron edhe bare, restorante, ofron poste akomodimi për të kaluar kohën deri në momentin që vjen orari i linjës së autobusit. Pra, një qendër multifunksionale, e cila garanton që të kemi një shërbim korrekt për vizitorët edhe turistët duke i ofruar mundësinë e një parkimi të sigurt, që për hir të vërtetës ka qenë problematikë në qytetin e Sarandës”, u shpreh Koçiu.

Tashmë, sipas saj, Saranda do të ketë një parkim publik që do të menaxhohet nga bashkia  dhe që jep mundësinë nga ana tjetër, të kemi edhe një shpërndarje të fluksit të turistëve që vijnë dhe vizitojnë Sarandën.

Koçiu theksoi se godina ka një hapësirë prej 8 mijë m2 dhe është ndërtuar në tre kate me një kat nëntokë parkimi.

“Godina i ofron të gjithë atyre që udhëtojnë me mjetet e transportit, jo vetëm komoditetet e nevojshme, por ndërkohë pastaj edhe gjithë infrastrukturën lehtësuese sa i përket bareve dhe restoranteve. Është në fakt një nga nënprojektet e projektit të madh që ka të bëjë me infrastrukturën dhe urbanizimin e turizmit në qytetin e Sarandës”, shtoi Koçiu.

Ndërsa e cilësoi Sarandën një nga xhevahiret e kurorës së turizmit shqiptar, Koçiu theksoi se ky investim garanton që të mos kemi një zhvillim të turizmit kaotik, të menjëhershëm, por të qëndrueshëm.

“Vetëm pesë vitet e fundit kemi dy-trefishim të numrit të turistëve që vijnë dhe frekuentojnë gjithë bukuritë që ofron Saranda”, tha Koçiu, ndërsa theksoi se bashkia duhet të shtojë kapacitetet për menaxhimin e kësaj qendre.

Çaçi vlerësoi se ky është një nga investimet më të bukura që ka bërë qeveria shqiptare, Fondi Shqiptar i Zhvillimit dhe bashkia Sarandë, me mbështetjen e Bankës Botërore.

Kryebashkiaku theksoi se investimi ka përfunduar, aktualisht po plotësohet me sinjalistikë dhe do të hapet brenda muajit maj për të mirëpritur këtë sezon turistik.

“Është shumë e rëndësishme sepse ne e heqim fluksin e rënduar që bëjnë autobusët duke shkuar në qendër të qytetit. Vetëm 50 metra më poshtë është rruga që çon në Ksamil. Kështu që fluksin nuk e çojnë më në qytet brenda, por shpërndahet”, shtoi ai.

Sipas Çaçit, ky është një nga investimet më të bukura në stacionet e autobusëve, jo vetëm në Sarandë, por në gjithë Shqipërinë.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër