Koçiu prezanton kryeinspektorin e ri: Ngremë në nivel tjetër punën në IKMT

Nga B.M
495 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Ministrja e Punëve të Brendshme, Albana Koçiu, prezantoi sot Kryeinspektorin e ri të Inspektoratit Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit (IKMT), Afrim Qëndro, i cili së fundmi ka mbajtur detyrën e Prefektit të Qarkut Tiranë, duke zëvendësuar në këtë funksion Dallëndyshe Bicin.

Gjatë fjalës së saj, Ministrja Koçiu u shpreh se “Qëndro do të marrë detyrën e drejtuesit të Inspektoratit të Mbrojtjes dhe Kontrollit të Territorit, një detyrë e cila në vetvete mbart sfida por gjithashtu dhe një përgjegjësi të madhe sa i përket zbatimit të ligjshmërisë dhe mbrojtjes së territorit. Afrimi vjen nga një eksperiencë e jashtëzakonshme në institucionet publike dhe ka treguar se me përkushtimin dhe profesionalizmin e tij di të krijojë ekip, skuadër, por edhe di të kërkojë detyrat të respektohen e zbatohen siç duhen”.

Emërimi vjen në një moment kyç për forcimin e rolit të IKMT-së në garantimin e zbatimit të ligjit në territor dhe përballimin me vendosmëri të çdo paligjshmërie në fushën e ndërtimeve dhe administrimit të hapësirës publike.

Kryeinspektori Qëndro garantoi angazhim maksimal për forcimin e kapaciteteve të institucionit, bashkëpunim të ngushtë me strukturat vendore dhe qendrore, si dhe transparencë të plotë në ushtrimin e detyrës.

“Unë e shoh si vlerësim dhe besim të shtuar detyrën e re të rëndësishme që më është ngarkuar. Mendoj që kontrolli mbi territorin për parandalimin e të gjitha shkeljeve është shumë më i rëndësishëm, sesa prishja e objekteve pa leje. Puna në ekip e këtij institucioni duhet të jetë e përgjegjshme, transparente dhe në funksion të ligjit”, tha Kryeinspektori.

“IKMT ka për detyrë të zbatojë dhe monitorojë bazën e re ligjore, e cila tashmë është në fuqi prej mujit tetor të shkuar. Është detyrë e Afrim Qëndros dhe skuadrës së tij për ta çuar përpara këtë reformë dhe sigurisht për ta ngritur në një nivel tjetër gjithë punë e mirë që ky Inspektorat ka kryer deri më tani”, nënvizoi Koçiu. 

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër