Shkup, 20 janar – Rasti me gjyqtarin e Apelit, Gjoko Ristov, e tronditi opinionin publik dhe pati ndikim negativ si te gjyqtarët ashtu edhe te e gjithë trupa gjyqësore, por edhe te avokatët dhe të gjithë të tjerët që janë të përfshirë në sistemin e drejtësisë, tha Vera Koco, ish-gjyqtare e Gjykatës Supreme, në debatin e mbrëmshëm në emisionin “Top Tema” në TV Telma.
“Kjo ishte e pashmangshme. Ai ishte ndjekur për një kohë të gjatë dhe në fund ndodhi ajo që ndodhi. Kisha frikë se si do të reagonte Këshilli Gjyqësor, duke pasur parasysh përvojat e mëparshme të Këshillit Gjyqësor, i cili ndonjëherë dinte t’ia hiqte imunitetin, por të mos lejonte caktimin e paraburgimit. Në këtë rast vendosi ashtu siç duhej të vendoste, pra ia hoqi imunitetin dhe lejoi arrest shtëpiak,” tha Koco.
Koco është e mendimit se hetimi ndaj Ristovit do të zbulojë shumë më tepër gjëra.
“Ajo që tani po thuhet se ai ka ushtruar korrupsion duke marrë para për veprime të caktuara dhe ka mbledhur… Kjo nuk është mbledhur nga një rast i vetëm. 350.000 euro është një shumë enorme dhe me shumë gjasë ky hetim do të ketë rrënjë më të thella. Kush e di se çfarë tjetër do të zbulohet më pas,” thotë Koco.

