Një muze holandez ka ekspozuar sot të gjitha 88 pikturat e Vincent van Goghut që ndodhen në koleksionin e tij, duke i bashkuar për herë të parë që nga viti 1984.
Muzeu Kröller-Müller, në qendër të Holandës, zotëron një nga koleksionet më të mëdha në botë të veprave të piktorit të famshëm holandez të shekullit XIX. Megjithatë, pikturat e tij rrallë janë ekspozuar të gjitha së bashku.
Ekspozita, e titulluar “Van Gogh, All Our Paintings” (“Van Gogh, të gjitha pikturat tona”), është hapur sot për publikun dhe do të qëndrojë e hapur deri në janar.
Sipas muzeut, kjo është një nga ekspozitat më të mëdha kushtuar Van Goghut të zhvilluara gjatë këtij shekulli.
Mes veprave të ekspozuara është “Ngrënësit e patateve”, një prej pikturave më të njohura të artistit, e realizuar në vitin 1885.
Vepra paraqet jetën e vështirë të fshatarëve dhe është një nga krijimet më të rëndësishme të periudhës së hershme të Van Goghut.
Koleksioni përfshin gjithashtu piktura të famshme si “Tarracë kafeneje natën”, e vitit 1888, dhe “Kulla e vjetër në Nuenen”, e vitit 1884.
Muzeu ka organizuar ekspozitën rreth tri virtyteve hyjnore; besimit, shpresës dhe dashurisë.
Sipas drejtuesve, këto tema zënë një vend qendror në jetën dhe veprën e Van Goghut, i cili përmes artit synonte t’u ofronte të tjerëve shpresë dhe ngushëllim.
Vincent van Gogh konsiderohet një nga artistët më të rëndësishëm dhe më krijues në historinë e artit. Gjatë karrierës së tij të shkurtër, ai realizoi rreth 900 piktura, shumë prej të cilave gjatë qëndrimit në Francë, ku krijoi edhe serinë e famshme “Luledielli” dhe disa autoportrete të njohura.
Piktori vdiq në vitin 1890, në moshën 37-vjeçare, dy ditë pasi qëlloi veten në gjoks.
Ai kishte përjetuar vështirësi të dokumentuara të shëndetit mendor. Shumica e veprave të përfshira në ekspozitë u blenë nga themeluesja e muzeut, Helene Kröller-Müller, gjatë periudhës 1908–1930.
