Arabia Saudite paralajmëron përgjigje të ashpër ndaj sulmeve të rebelëve Huthi

Nga D V
5 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Riad, 15 shtator, Zhurnal.mk – Arabia Saudite u zotua sot  martën se do t’u përgjigjet “me vendosmëri” sulmeve të rebelëve Huthi nga Jemeni, pasi sulmet me raketa balistike dhe dronë plagosën 13 persona në territorin saudit.

Koalicioni i udhëhequr nga Riadi konfirmoi se  gjatë sulmeve të një dite më parë u goditën  qytetet Khamis Mushait, Abha dhe Taif.

Sipas autoriteteve saudite, përveç të plagosurve, u dëmtuan edhe shtatë shtëpi dhe dy automjete.

Rebelët Huthi, të mbështetur nga Irani, kanë rifilluar përleshjet me forcat qeveritare të mbështetura nga Arabia Saudite që prej përshkallëzimit të luftës civile në Jemen, në muajin korrik.

Grupi ka deklaruar gjithashtu një bllokadë detare ndaj Riadit dhe ka nisur të godasë anijet në Detin e Kuq.

Rebelët pretendojnë se kanë marrë nën kontroll bregdetin e Jemenit në Detin e Kuq dhe ngushticën Bab al-Mandab, një pikë strategjike për transportin detar ndërkombëtar.

Kjo zonë është bërë edhe më e rëndësishme pasi lufta më e gjerë mes Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Iranit ka penguar qarkullimin në Ngushticën e Hormuzit.

Huthit kanë sulmuar gjithashtu infrastrukturën naftësjellëse të Arabisë Saudite, eksportuesit kryesor botëror të naftës bruto.

Sipas raportimeve, këto zhvillime kanë ndikuar në rritjen e çmimit të naftës mbi 100 dollarë për fuçi.

Koalicioni saudit deklaroi se do të ndërmarrë “të gjitha masat e nevojshme operacionale” për të mbrojtur sovranitetin e vendit dhe për të penguar atë që e cilësoi si një qasje armiqësore dhe ekstremiste.

Huthit, nga ana e tyre, pretenduan se Arabia Saudite kishte kryer më shumë se 50 sulme ajrore në zonat nën kontrollin e tyre.

Përshkallëzimi i luftimeve në Jemen vjen në një periudhë tensionesh të mëdha në Lindjen e Mesme.

Ndërkohë, një takim i propozuar mes shteteve të Gjirit dhe Iranit për të ardhmen e ngushticës së Hormuzit u shty. Kombet e Bashkuara njoftuan se rreth 93 864 persona janë detyruar të largohen nga shtëpitë e tyre për shkak të luftimeve të reja në Jemen.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër