Komisionerja e BE-së e qorton përsëri Serbinë për ligjet e kontestuara në gjyqësor

Nga B.M
145 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Bruksel/Beograd, 20 prill, Zhurnal.mk – Komisionerja Evropiane Marta Kos përsëriti sot kritikat e Komisionit Evropian (KE) për ligjet e gjyqësorit të miratuara nga Kuvendi i Serbisë e të sponsorizuara nga Partia Progresive në pushtet (SNS) e kontrolluar nga Kryetari autoritar Aleksandar Vuçiç, për shtypjen e protestuesve dhe mediave të pavarura e për refuzimin për t’u bashkuar me sanksionet e BE-së ndaj Rusisë.

“Ne jemi gjithnjë e më të shqetësuar për atë që po ndodhë në Serbi. Unë ndaj shqetësimet e shprehura nga deputetët e të Gjelbërve dhe grupit të Rinovimit nga ligjet që minojnë pavarësinë e gjyqësorit për të shtypur protestuesit dhe ndërhyrjen aktuale në mediat e pavarura”, tha Kos në një debate me anëtarët e Parlamentit Evropian të Komitetit për çështjet ë Jashtme (AFET).

“Aktualisht po vlerësojmë nëse vendi ende i përmbush kushtet për pagesat sipas instrumenteve financiare të BE-së. Ne do të vazhdojmë me siguri ta mbështesim Serbinë në rrugën e saj drejt BE-së, por presim që autoritetet ta përshtasin plotësisht sistemin e tyre gjyqësor me rekomandimet e Komisionit të Venedikut [në pritje] dhe të rivendosin pavarësinë e medias së saj, duke përfshirë edhe reformën e REM [organit rregullator për median elektronike], dhe duam të shohim përmirësime të vazhdueshme në përafrimin e CFSP [politikës së përbashkët të jashtme dhe të sigurisë]”, tha Kos.

“Serbia duhet të përmbushë detyrimet. Jemi në kontakt dhe ata kanë premtuar se do ta bëjnë këtë. Unë besoj, por dua ta shoh dhe sapo unë dhe ekipi im ta shohim, ata do t’i përmbysin vërtet ndryshimet dhe gjithashtu do të sigurojnë zgjedhje të lira dhe të ndershme”, tha ajo duke iu referuar zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të pritura, të cilat Vuçiç po i premton opozitës dhe studentëve se do t’i organizojë këtë vit.

Muajin e kaluar, zëdhënësi i KE-së, Guillaume Mercier, i kishte thënë dtt-net.com se organi ekzekutiv i BE-së tashmë po pezullon shpërndarjen e mëtejshme – këstin e dytë – të kredive dhe granteve për Serbinë nga fondi i ri i BE-së për vendet e Ballkanit Perëndimor, për shkak të ligjeve të diskutueshme të gjyqësorit.

Mercier i tha dtt-net.com se organi ekzekutiv i BE-së, përveç “vlerësimit të vet nëse Serbia ende i plotëson kushtet për pagesat sipas instrumenteve financiare të BE-së”, po pret gjithashtu mendimin e Komisionit të Venedikut të Këshillit të Evropës mbi ligjet e kontestuara dhe më pas që parlamenti i Serbisë të bëjë ndryshime në ligje, siç do të sugjerohej nga ky i fundit, përpara se të mund të rifillojë dërgimin e parave për qeverinë serbe nga fondi i Planit të Rritjes.

Në janar të vitit të kaluar, KE transferoi 51,7 milionë euro në kredi koncesionare në buxhetin kombëtar të Serbisë, që korrespondon me një pjesë të parafinancimit të parashikuar sipas Planit të Rritjes së BE-së për Ballkanin Perëndimor.

Më pas, në korrik të vitit të kaluar, KE miratoi 40,8 milionë euro për Serbinë për projekte në sektorin e energjisë, por shuma nuk është shpërndarë ende.

Nga 6 miliardë euro të fondit për periudhën 2024-2027, BE ka caktuar 922 milionë euro për Shqipërinë; 1.085 miliardë euro për Bosnjën dhe Hercegovinën (BiH), 882 milionë euro për Kosovën; 383,5 milionë për Malin e Zi; 750,4 milionë për Maqedoninë e Veriut dhe 1.586,4 miliardë për Serbinë.

Plani i Rritjes synon të përshpejtojë konvergjencën socio-ekonomike të rajonit të Ballkanit Perëndimor me BE-në dhe të hapë rrugën drejt anëtarësimit në BE, sipas KE-së.

Por, me paratë që do të shpërndahen nga fondi i ri i BE-së, të gjitha vendet duhet të përmbushin reformat e përcaktuara nga BE-ja, gjë që kur bëhet fjalë për gjyqësorin serb nuk është rasti për momentin.

Midis pesë ndryshimeve ligjore në Serbi, ndryshimet në Ligjin për Prokurorinë Publike janë më të kontestuara, pasi sipas KE-së dhe opozitës ato dëmtojnë pavarësinë e gjyqësorit.

Partitë opozitare thonë se ndryshimet e bëra nga ligjvënësit e partisë SNS synojnë të ndërpresin kompetencat e Zyrës së Prokurorit Special kundër Krimit të Organizuar dhe të thyejnë pavarësinë e saj në luftën kundër krimit të organizuar.

Vuçiç dhe bashkëpunëtorët e tij kanë vazhduar të ushtrojnë presion publikisht ndaj prokurorëve specialë për ngritjen e akuzave vitin e kaluar ndaj ministrit të kulturës Nikol Selakovic në aktakuzën për falsifikim dokumentesh për të hequr ish-selinë e ushtrisë – të dëmtuar nga sulmet ajrore të NATO-s në vitin 1999 – nga lista e trashëgimisë kulturore, për të hapur rrugën për ndërtimin e hotelit nga dhëndri i Donald Trump, Jared Kushner.

Akuza ndaj Selakovic dhe të tjerëve e detyroi Kushnerin të braktiste projektin po atë ditë.

E njëjta zyrë prokurorie u sulmua gjithashtu publikisht nga SNS dhe zyrtarët për ngritjen e akuzave ndaj 13 zyrtarëve, përfshirë një ish-ministër të ndërtimit, për shembjen vdekjeprurëse të tendës së stacionit të trenit në nëntor 2024, kur vdiqën 16 persona, përfshirë një student.
Por gjyqtarët e gjykatës paraprake në qytetin verior të Novi Sadit, nën ndikimin e Vuçiç dhe SNS-së së tij, hodhën poshtë aktakuzën ndaj ish-ministrit Goran Vesiç dhe pesë zyrtarëve të tjerë.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër