Komisioni për Ekonominë, Punësimin dhe Financat miraton dy projektligje

Nga D. V.
858 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Tiranë, 20 korrik, Zhurnal.mk – Komisioni për Ekonominë, Punësimin dhe Financat në mbledhjen e së hënës mori në shqyrtim dhe miratoi dy projektligje të rëndësishme.

Fillimisht komisioni mori në shqyrtim projektligjin “Për shtesa dhe ndryshime në ligjin “Për Kodin Civil të Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar”, nismë e deputetit Taulant Balla. Të ftuar në mbledhjen e komisionit për të dhënë mendim mbi nismën ishte Delina Ibrahimaj, ministre e Ekonomisë dhe Inovacionit, si dhe stafi teknik i kësaj ministrie.

Në cilësinë e nismëtarit Taulant Balla, sqaroi se ndryshimet e propozuara në Kodin Civil, synojnë transpozimin e dy Direktivave të BE-së dhe synon adresiminin e disa problematikave të ngritura nga bizneset, sipërmarrjet dhe organizatat jofitimprurëse lidhur me vonesat në pagesa, duke garantuar më shumë siguri juridike në marrëdhëniet tregtare. Sipas Ballës projektligji sjell ndryshime për qartësimin e rregullave mbi kamatëvonesat, zgjeron rastet kur një produkt konsiderohet me mangësi në përputhje me zhvillimet teknologjike dhe forcon mbrojtjen e personit të dëmtuar. Projektligji qartëson se përgjegjësia e prodhuesit ndaj personit të dëmtuar nuk mund të kufizohet apo të përjashtohet me marrëveshje kontraktore ose me ligj.

Deputeti Admir Kadeli në cilësinë e relatorit vlerësoi rëndësinë e nismës për harmonizimin e legjislacionit vendas me atë të BE, mbrojtjen e konsumatorit përmes rregullave më të qarta mbi përgjegjësinë mbi produktet me të meta, përshtatjen me zhvillimet teknologjike dhe produktet moderne, etj. Pas pyetjeve dhe diskutimeve, komisioni e miratoi projektligjin në parim, nen për nen dhe në tërësi.

Mbledhja vijoi me shqyrtimin e projektligjit “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin, “Për pagesat e vonuara dhe detyrimet kontraktore dhe tregtare”, të ndryshuar”.

Gjatë fjalës së saj, Ibrahimaj parashtroi se projektligji realizon përafrimin e plotë të legjislacionit shqiptar me Direktivën 2011/7/BE të Parlamentit Evropian dhe të Këshillit për luftën kundër vonesave në pagesat në transaksionet tregtare, si dhe përmbush detyrimet në kuadër të negociatave me BE për Kapitullin 20.

Ministrja sqaroi se projektligji sjell një sërë ndryshimesh të rëndësishme, duke zgjeruar mbrojtjen ligjore edhe për personat fizikë, tregtarët individë dhe profesionet e lira, të cilët përfshihen tashmë në përkufizimin e sipërmarrjes. Ndryshimet përcaktojnë gjithashtu rregulla më të qarta për afatet e pagesave, kufizojnë mundësinë e zgjatjes së tyre, vendosin lindjen automatike të kamatëvonesës pas skadimit të afatit dhe harmonizojnë normat e interesit me standardet e Bankës së Shqipërisë dhe Bankës Qendrore Evropiane.

Ibrahimaj sqaroi se një risi e projekligjit lidhet me disiplinimin e pagesave nga autoritetet publike, duke përcaktuar si rregull afatin 30-ditor të pagesës, me mundësi zgjatjeje deri në 60 ditë vetëm në raste të justifikuara objektivisht nga natyra e kontratës. Po ashtu, projektligji forcon mekanizmat e zbatimit gjyqësor, duke vendosur afatin maksimal 90-ditor për lëshimin e urdhrit të ekzekutimit në rastet kur debitori nuk e kundërshton detyrimin.

Deputetja Zamira Sinaj në cilësinë e relatores vlerësoi rëndësinë e projektligjit për mbështetjen e sipërmarrjeve dhe profesioneve të lira, duke ftuar kolegët ta miratojnë. Gjatë diskutimeve nen për nen, Balla paraqiti një amendament për nenin 1, që lidhet me përkufizimet mbi subjektet tregtare.

Pas diskutimeve komisioni e miratoi në parim, nen për nen dhe në tërësi projektligjin dhe ia kaloi për shqyrtim seancës plenare.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër