Tiranë, 30 shtator, Zhurnal.mk – Komisioni për Nismat Qytetare, Bashkëpunimin dhe Mbikëqyrjen Institucionale në datat 28-29 shtator 2026 zhvilloi disa vizita monitoruese në Pikën e Kalimit Kufitar Qafë Thanë, Bashkinë Pogradec dhe disa institucione arsimore të qytetit të Pogradecit, në kuadër të zbatimit të kalendarit të mbikëqyrjes parlamentare.
Vizitat u fokusuan në tre çështje me rëndësi të veçantë për qytetarët: siguria ushqimore, menaxhimi i emergjencave civile dhe siguria në shkolla, me qëllim njohjen nga afër të zbatimit të legjislacionit, funksionimit të strukturave përgjegjëse dhe evidentimit të problematikave konkrete në terren.
Në Pikën e Kalimit Kufitar Qafë Thanë, anëtarët e Komisionit u njohën me procedurat dhe mekanizmat e kontrollit që lidhen me garantimin e sigurisë ushqimore, bashkëpunimin ndërinstitucional dhe masat që zbatohen për kontrollin e produkteve ushqimore që hyjnë në territorin e vendit. Në fokus të diskutimeve ishte forcimi i kontrolleve, koordinimi ndërmjet institucioneve përgjegjëse dhe garantimi i standardeve për mbrojtjen e shëndetit dhe interesave të konsumatorëve.
Në Bashkinë Pogradec, vizita monitoruese u përqendrua në menaxhimin e emergjencave civile. Përfaqësuesit vendorë informuan anëtarët e Komisionit mbi kapacitetet ekzistuese, masat parandaluese, strukturat e angazhuara dhe mekanizmat e koordinimit institucional në përballimin e situatave emergjente. Vëmendje e veçantë iu kushtua gatishmërisë së strukturave vendore dhe nevojës për forcimin e kapaciteteve parandaluese dhe reaguese.
Komisioni zhvilloi gjithashtu vizita në disa shkolla të qytetit të Pogradecit, ku në qendër të diskutimeve ishte siguria në institucionet arsimore. Anëtarët e Komisionit u njohën me masat e ndërmarra për krijimin e një mjedisi të sigurt për nxënësit dhe stafin pedagogjik, mekanizmat e parandalimit të incidenteve, bashkëpunimin me strukturat e Policisë së Shtetit dhe pushtetit vendor, si dhe çështje që lidhen me sigurinë fizike dhe mirëqenien e nxënësve.
Vizitat monitoruese shërbyen për të evidentuar nga afër situatën në secilën prej fushave të monitoruara, problematikat që kërkojnë adresim, si dhe për të forcuar bashkëpunimin ndërmjet Kuvendit dhe institucioneve përgjegjëse në nivel qendror dhe vendor.
Komisioni do të vijojë ushtrimin e funksionit të tij mbikëqyrës përmes vizitave në terren, seancave dëgjimore dhe ndjekjes së rekomandimeve të dala nga procesi i monitorimit, me synim rritjen e përgjegjshmërisë institucionale dhe përmirësimin e shërbimeve ndaj qytetarëve.
