Malaj me misionin e FMN: Përmirësime të ndjeshme në planifikimin dhe menaxhimin e investimeve publike

Nga D V
9 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Tiranë, 30 shtator, Zhurnal.mk – Ministri i Financave, Petrit Malaj, priti në një takim misionin e Fondit Monetar Ndërkombëtar për eficiencën e investimeve publike (PIMA), të kryesuar nga Ian Hawkesworth.

Qëllimi i takimit ishte diskutimi i gjetjeve dhe vlerësimit të FMN-së sa i përket eficiencës së investimeve publike në vendin tonë, të cilat janë pjesë e raportit që pritet të publikohet së shpejti nga Fondi Monetar Ndërkombëtar.

Gjatë takimit u evidentuan progresi dhe përmirësimet e ndjeshme që Shqipëria ka shënuar vitet e fundit në drejtim të planifikimit dhe menaxhimit të investimeve publike.
Investimet publike në vendin tonë kanë qenë në rreth 6,5% të PBB-së gjatë viteve të fundit dhe pritet të mbeten në nivele të larta, ndërsa Shqipëria vijon procesin e anëtarësimit në Bashkimin Evropian. Sipas planifikimeve afatmesme, investime të mëtejshme parashikohen në sektorë të rëndësishëm si transporti, energjia, digjitalizimi dhe rritja e qëndrueshmërisë ndaj ndryshimeve klimatike.

Ministri Malaj theksoi se rezultatet e vlerësimit të FMN-së tregojnë se Shqipëria po performon në linjë me vendet e Bashkimit Evropian dhe me ekonomitë e zhvilluara në mbarë botën sa i përket mënyrës së planifikimit dhe menaxhimit të investimeve publike.
Ky përmirësim reflektohet në disa prej elementeve kryesore të menaxhimit të financave publike, përfshirë disiplinën buxhetore, mënyrën e alokimit të fondeve, si dhe rritjen e transparencës dhe konkurrueshmërisë në prokurimin publik.

“Paratë publike sot po investohen më mirë”, nënvizoi Malaj, duke theksuar se ky nuk është thjesht një vlerësim i institucioneve shqiptare, por një progres i konstatuar edhe nga institucione ndërkombëtare si Fondi Monetar Ndërkombëtar.

Ky progres merr rëndësi të veçantë pasi lidhet drejtpërdrejt me mënyrën se si përdoren fondet e buxhetit të shtetit për investime në sektorë të rëndësishëm për qytetarët, si infrastruktura, shëndetësia dhe arsimi.

Ministri Malaj theksoi rëndësinë e përdorimit transparent dhe konkurrues të fondeve publike, veçanërisht për investimet në rrugë, spitale apo shkolla, duke nënvizuar se nuk mjafton vetëm që fondet të jenë të parashikuara në buxhet. E rëndësishme është që ato të përdoren në mënyrë sa më eficiente dhe që për çdo lek të shpenzuar të sigurohet sa më shumë vlerë e shtuar për qytetarët.

Vlerësimi i FMN-së përbën një tregues pozitiv të progresit të arritur në këtë drejtim, por, siç nënvizoi Ministri Malaj, ky është një lajm i mirë, por jo fundi i punës. Objektivi mbetet vijimi i reformave dhe forcimi i mëtejshëm i mekanizmave që garantojnë një planifikim dhe menaxhim sa më eficient të investimeve publike.

Në këtë kuadër, Ministria e Financave do të vijojë punën për të siguruar që çdo lek i qytetarëve shqiptarë dhe çdo investim publik të gjenerojë më shumë zhvillim, shërbime më cilësore dhe më shumë vlerë për Shqipërinë.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër