Komisioni për “Territorialen”/ PS-PD agjendë të përbashkët konsultimesh, nga 1 maji nisin dëgjesat

Nga D. V.
430 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Komisioni i Posaçëm Parlamentar për Reformën Administrativo-Territoriale zhvilloi sot  mbledhje për miratimin e kalendarit të detajuar të takimeve për fazën e parë të konsultimeve në territor.

Bashkëkryetari i Komisionit nga Partia Socialiste, Arbjan Mazniku, u shpreh se është dakordësuar një agjendë e përbashkët me bashkëkryetarin nga Partia Demokratike, Luciano Boçi.

“Ky dokument ka dy kolona kryesore: dëgjesa këtu në komision me kryetarët e bashkive sipas qarqeve dhe konsultimet tematike në Kuvend. Kemi menduar që të bëjmë në një ditë kryetarët e bashkive të dy qarqeve. Kemi dakordësuar disa ditë të veçanta për dëgjesa që të mos përplasen me seancat apo aktivitetet e tjera të Kuvendit. Kryesisht janë të mërkurave”, tha Mazniku.

Ai shtoi se dëgjesat në terren do të kryhen përgjatë 4-5 javëve dhe do të organizohen dy aktivitete në javë, me mbështetjen e projekteve bashkiake për organizimin.

Mazniku u shpreh se, “që nga data 1 maj të fillojmë dëgjesat tematike në Kuvend. Dëgjesat behën me ekspertët sipas fushave specifike dhe kompetencave”.

Bashkëkryetari nga PD, Luciano Boçi, vlerësoi rëndësinë e ekspertëve në këtë proces.

“Roli i ekspertëve është shumë i rëndësishëm dhe ky proces duhet të jetë i hapur për të nxjerrë në pah situatën reale. Dimensioni i transparencës ka lidhje direkte me besueshmërinë e publikut për reformën territoriale. Të mos jetë vetëm produkt politik, por edhe rezultat i dijes dhe transparencës.”

Ai theksoi gjithashtu se vendimi i komisionit synohet të jetë konsensual.

Sa i përket ekspertëve ndërkombëtarë, Boçi tha se ambasadori Gonzato ka shprehur gatishmërinë për të ofruar mbështetje, duke përfshirë ekspertë dhe pjesëmarrje në vizita dhe agjendën e komisionit.

“Po ashtu, ambasada zvicerane ka pranuar të ofrojë suportin e saj për kërkesat që komisioni do të ketë”, përfundoi ai.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër