Shkup, 14 prill, Zhurnal.mk – Komuna e Çairit sot, me fillim nga ora 11:30, do të shënojë fillimin e rikonstruksionit të rrugës “Samarxhinjve” dhe edhe pesë degëve dhe rrugicave të tjera në Çarshinë e Vjetër, një projekt që synon t’i rikthejë shkëlqimin njërit prej hapësirave urbane më autentike në Shkup, përcjell Zhurnal.mk.
Në këtë ngjarje pritet të mbajë fjalim kryetari i komunës, Izet Mexhiti, i cili do të prezantojë aspektet kryesore të projektit dhe rëndësinë e investimit për komunitetin lokal dhe trashëgiminë kulturore.
Rruga “Samarxhinjve”, dikur qendër e jetës zejtarë në Çarshi, pas më shumë se gjysmë shekulli pa ndërhyrje serioze, do të marrë një rikonstruksion të plotë në një sipërfaqe prej 1.567 m².
Projekti parasheh restaurimin e kalldrëmit me gur travertin, duke ruajtur autenticitetin historik të hapësirës dhe duke siguruar qëndrueshmëri afatgjate. Paralelisht, do të realizohet edhe modernizimi i plotë i infrastrukturës nëntokësore, që përfshin vendosjen e fibrave optike, një sistem të ri të ujësjellësit dhe kanalizimit, si dhe një rrjet të ri elektrik – ndërhyrje që nuk është bërë prej dekadash.
Në kuadër të projektit do të vendoset edhe ndriçim i ri rrugor me kandela në stil tradicional, si dhe pajisje urbane, banka dhe shporta për mbeturina, duke e bërë hapësirën më funksionale dhe më tërheqëse për qytetarët dhe turistët.
Me një investim prej 28,7 milionë denarësh, ky projekt përfaqëson një hap të rëndësishëm drejt mbrojtjes, ringjalljes dhe rregullimit modern të Çarshisë së Vjetër.
