Tetovë/Shkup, 17 Prill, Zhurnal.mk – Ministria e brendshme tha sot se mbrëmë gjatë një aksioni anti-drogë në qytetin e Tetovës ka arrestuar një 16-vjeçar pasi që është gjetur një sasi e drogës marihuanë.
“Më 16.04.2026 në orën 22:05, oficerë policie nga Departamenti i Policisë së Tetovës privuan nga liria një 16-vjeçar nga Tetova, nën dyshimin se ka kryer një vepër penale sipas nenit 215 të Kodit Penal. Gjatë një kontrolli në një lokal në Tetovë, të kryer me pëlqimin e pronarit, i cili kishte marrë me qira lokalin e të miturit, u gjetën dhe u sekuestruan 34 pako me marihuanë, një kuti dhe një qese me marihuanë, si dhe një pako me substancë pluhur. Ai është ndaluar në stacionin policor dhe do të intervistohet në prani të një prindi. Pas dokumentimit të plotë të rastit, ndaj tij do të ngrihen akuza përkatëse,” tha sot ministria e brendshme, shkruan Zhurnal.mk.
Ministria në komunikatë nuk dha detaje të tjera për personin e arrestuar pos moshës së tij.
Zhurnal.mk mbrëmë raportoi se bëhet fjalë për djalin e ish-një zyrtareje të BDI-së.
Burimet nga policia sot për Zhurnal.mk konfirmuan raportimin e mbrëmshëm dhe sqaruan se bëhet fjalë për djalin e ish-kryetares së komunës së Tetovës Teuta Arifi.
