Prishtinë, 19 nëntor, Zhurnal.mk – Policia e Kosovës ka njoftuar se më 19 nëntor 2026 është realizuar ekstradimi i një shtetasi kosovar nga Kosova drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës, i cili kërkohej me urdhërarrest ndërkombëtar.
Sipas njoftimit të Policisë, i dyshuari dyshohet se është i përfshirë në vepra penale që ndërlidhen me krimet kibernetike.
Operacioni u realizua nga Drejtoria për Bashkëpunim Ndërkombëtar Policor, në koordinim me njësitet e tjera relevante të Policisë së Kosovës dhe institucionet e drejtësisë.
I ekstraduari iu dorëzua autoriteteve amerikane, përkatësisht njësisë U.S. Marshals, në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari”.
Policia e Kosovës ka bërë të ditur se do të vazhdojë bashkëpunimin me institucionet vendore dhe ndërkombëtare për parandalimin, hetimin dhe luftimin e aktiviteteve kriminale, si dhe për identifikimin dhe arrestimin e personave të kërkuar brenda dhe jashtë vendit.

