Shqipëria drejt digjitalizimit të dokumentacionit të transportit të mallrave

Nga D. V.
736 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Tiranë, 12 qershor, Zhurnal.mk – Në Komisionin për Çështjet Ligjore dhe Administratën Publike, u shqyrtua sot projektligji “Për informacionin elektronik të transportit të mallrave”.

Gjatë prezantimit, zëvendësministri i Ekonomisë dhe Inovacionit, Enkelejd Musabelliu tha se projektligji synon përafrimin e legjislacionit shqiptar me rregulloren e Bashkimit Evropian për informacionin elektronik të transportit të mallrave (eFTI).

Musabelliu, theksoi se nisma është gjithashtu pjesë e Planit të Rritjes me Bashkimin Evropian dhe ka për qëllim krijimin e bazës ligjore që informacioni dhe dokumentacioni i kërkuar nga autoritetet publike për transportin e mallrave të paraqitet dhe të shkëmbehet në formë elektronike.

Sipas tij, projektligji synon të zëvendësojë gradualisht procedurat tradicionale të bazuara në dokumente fizike, duke modernizuar proceset administrative, rritur efikasitetin operacional dhe ulur barrën administrative për operatorët ekonomikë.

“Qëllimi i këtij projektligji është krijimi i bazës ligjore që informacioni dhe dokumentacioni i kërkuar nga autoritete publike për transportin e mallrave të paraqitet dhe shkëmbente në formë elektronike, duke zëvendësuar gradualisht procedurat tradicionale të bazuara në dokumente fizike. Në këtë mënyrë synohet modernizmi i proceseve administrative, rritja efikasitetit operacional dhe reduktimi i barrës administrative për operatorët ekonomikë”, tha ai.

Musabelliu shtoi se sot operatorët e transportit duhet të dorëzojnë dokumente të ndryshme fizike, si letërdorëzimi ose CMR, dokumente doganore apo tranziti, dokumentacion për mallra të rrezikshme apo leje dhe certifikata të ndryshme transporti.

“Me miratimin e këtij projektligji dhe zhvillimin e platformës EFTI të gjitha këto dokumente do të ruhen dhe do të ndahen në mënyrë digjitale përmes platformave të certifikuara, ndërkohë që organet inspektuese do të duhet të pranojnë këtë dokumentacion në versionin elektronik”, tha ai.

Ai theksoi më tej se projektligji vendos bazat për krijimin e një sistemi të standardizuar dhe të ndërveprueshëm të shkëmbimit të të dhënave, duke garantuar që informacioni elektronik të përdoret dhe verifikohet në mënyrë të njëjtë nga autoritete përgjegjëse.

“Kjo është veçanërisht e rëndësishëm për transportin ndërkombëtar. Ky ndryshim ligjor krijon siguri juridike për operatorët ekonomike dhe nxit përdorimin e zgjedhjeve digjitale në gjithë zinxhirin e transportit dhe logjistikës”, tha ai.

Sipas tij, projektligji synon që të reduktojë kostot administrative të bizneseve, të përshpejtojë procedurat e kontrollit dhe të përmirësojë komunikimin elektronik ndërmjet operatorëve ekonomikë dhe institucioneve publike.

“Një tjetër aspekt i rëndësishëm është rritja e transparencës, gjurmueshmërisë dhe sigurisë së informacionit, duke siguruar që të dhënat e transportit të ruhen sipas standardeve të përcaktuara për integritetin, autenticitetin dhe mbrojtjen e tyre”, tha ai.

Musabelliu nënvizoi se ky projektligj përfaqëson një hap të rëndësishëm drejt modernizmit të tre sektorëve të transportit dhe logjistikës në Shqipëri, duke krijuar kushtet për përdorimin e gjerë të dokumenteve të standardizuara, përmirësimin e bashkëpunimit ndërinstitucional, rritjen e efikasitetit të transportit dhe përfarimin e mëtejshëm të vendit me standardet e BE-së.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër