Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve zhvilloi sot mbledhjen, në të cilën u shqyrtuan rezultatet e verifikimit të Prokurorit të Përgjithshëm për dy kandidatët për deputetë të propozuar nga Partia Mundësia në qarkun Tiranë, për zgjedhjet e datës 11 maj 2025.
“Referuar të dhënave të disponuara, KSHZ konstatoi se kandidatët Altin Muceku dhe Adela Qemali nuk përfshihen në kushtet e ndalimit për të ushtruar funksionin publik të deputetit”, thuhet në njoftimin e KQZ-së.
KQZ cilëson se në seancën e sotme, u vendos dhënia e mandatit të deputetit të Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, kandidatit të radhës në listën shumemërore të Partisë Socialiste të Shqipërisë, në zonën zgjedhore, qarku Vlorë, Briseida Çakërri.
Gjithashtu, u plotësuan vakancat e krijuara në 3 këshilla bashkiak Këshilli i Bashkisë Delvinë, me kandidatin nga lista shumemërore e “Partisë Socialiste të Shqipërisë”, Natasha Xhelili; Këshilli i Bashkisë Shkodër, me kandidatin nga lista shumemërore e “Partisë Socialdemokrate”, Sead Jusha dhe Këshilli i Bashkisë Elbasan, me kandidatin nga lista shumemërore e Koalicionit “Bashkë Fitojmë”, Erjona Jaurri.
