Sarajevë, 8 maj, Zhurnal.mk – Ish-Kryetari i rajonit serb në Bosnjë dhe Hercegovinë (BiH), Milorad Dodik, dhe bashkëpunëtorët e tij do të marrin pjesë në paradën e 9 majit të organizuar nga Kremlini me ftesë të Vladimir Putinit.
Delegacioni i rajonit serb do të takohet gjithashtu me Putinin, për negociata mbi marrëdhëniet midis dy palëve, sipas ambasadës ruse në Sarajevë, raporton dtt-net.com.
“Delegacioni përbëhet nga Presidenti i Republikës Srpska Sinisa Karan, Presidenti i Asamblesë Kombëtare të Republikës Srpska Nenad Stevandić dhe Presidenti i Aleancës së Social Demokratëve të Pavarur Milorad Dodik. Presidenti rus Vladimir Putin do të zhvillojë negociata në Kremlin me anëtarët e delegacionit të Republikës Srpska”, tha ambasada në një njoftim për shtyp.
Dodik ishte në Moskë edhe vitin e kaluar për të njëjtën arsye dhe ishte takuar me Putinin.
Kryetari i Serbisë Aleksandar Vuçiç ishte gjithashtu në Moskë për paradën e vitit të kaluar. Mbetet e panjohur nëse ai do të udhëtojë këtë herë.
Serbia dhe udhëheqësit e rajonit serb në BeH vazhdojnë të kenë lidhje të forta me aleatin e tyre tradicional ortodoks, Rusinë, pavarësisht agresionit ushtarak rus kundër Ukrainës i cili po vazhdon që nga muaji Shkurt 2022.
Serbia, një vend kandidat për anëtarësim në BE, refuzon t’i bashkohet sanksioneve të bllokut evropian ndaj Rusisë, pavarësisht thirrjeve të shumta nga institucionet e BE-së dhe shumica e shteteve anëtare të saj.
Dodik dhe bashkëpunëtorët e tij nuk po e lejojnë Bosnjën dhe Hercegovinën (BiH) të zbatojë përafrimin e ministrisë së punëve të jashtme të BiH me sanksionet e BE-së duke përdorur të drejtën e tyre të vetos, duke bllokuar kështu vullnetin e boshnjakëve dhe kroatëve. / Zhurnal.mk
