Beograd, 8 maj, Zhurnal.mk – Qeveria e Serbisë po shqyrton ndryshimet e fundit të diskutueshme në disa ligje të gjyqësorit pas kundërshtimeve të forta nga opozita, Komisioni Evropian dhe Komisioni i Venedikut i Këshillit të Evropës (KiE), raporton dtt-net.com.
Ministria e drejtësisë tha se mbajti dje një seancë të dytë publike dëgjimore mbi “zgjidhjet e mundshme për ndryshime në grupin e ligjeve gjyqësore”.
Ministri i Drejtësisë Nenad Vujić tha se “të tetë ose nëntë rekomandimet e ekspertëve të Komisionit të Venedikut (do të) përmbushen para se të dërgohet Projektligji në atë Komision të Venedikut për mendim”.
Ndryshimet ligjore që janë objekt harmonizimi dhe diskutimi kanë të bëjnë me Ligjin për Prokurorinë Publike, Ligjin për Organizimin dhe Kompetencën e Organeve Shtetërore për Luftimin e Krimit të Teknologjisë së Lartë, Ligjin për Selitë dhe Zonat e Gjykatave dhe Prokurorive Publike, Ligjin për Gjyqtarët dhe Ligjin për Këshillin e Lartë të Prokurorive.
Nga pesë ligje të miratuara dhe të dekretuara nga Kryetarit autoritar Aleksandar Vuçiç në fund të janarit, ndryshimet në Ligjin për Prokurorinë Publike janë ato që janë kontestuar më së shumti, pasi sipas Komisionit Evropian, Komisionit të Venedikut të Këshillit të Evropës dhe opozitës, ato dëmtojnë pavarësinë e strukturave gjyqësore.
Partitë opozitare thonë se ndryshimet e bëra nga partia SNS e Vuçiçit synojnë të ndërpresin kompetencat e Zyrës së Prokurorit Special kundër Krimit të Organizuar dhe të thyejnë pavarësinë e saj në luftën kundër krimit të organizuar.
Komisioni i Venedikut muajin e kaluar tha se ndryshimet e bëra nga Parlamenti i Serbisë dhe të sponsorizuara nga Partia Progresive (SNS) e Vuçiçit, janë të dëmshme për autonominë e prokurorisë publike dhe pavarësinë gjyqësore. / Zhurnal.mk
