Kuba konfirmon bisedimet me SHBA-në mes tensioneve në rritje

Nga D. V.
137 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Havanë, 21 prill, Zhurnal.mk – Kuba ka konfirmuar se zyrtarë nga Havana dhe Uashingtoni kanë zhvilluar së fundmi bisedime në ishull, mes rritjes së tensioneve me Shtetet e Bashkuara të Amerikës nën drejtimin e presidentit Donald Trump.

“Një takim mes delegacioneve të dy vendeve është mbajtur së fundmi në Kubë”, bëri të ditur Alejandro García del Toro, zyrtari i Ministrisë së Jashtme kubane, përgjegjës për çështjet me SHBA-në, në një deklaratë për gazetën “Granma”.

Del Toro nuk dha detaje mbi përmbajtjen e bisedimeve, por theksoi se çështja është “delikate”.

Megjithatë, ai sqaroi se nuk janë vendosur afate dhe nuk janë bërë kërcënime, ndërsa dialogu është zhvilluar “në mënyrë të respektueshme dhe profesionale”.

Sipas raportimeve, në takim kanë marrë pjesë zëvendësministrat e Jashtëm të të dyja palëve.

Media amerikane raportoi më herët për takimin, duke cituar zyrtarë të administratës Trump. Sipas portalit të lajmeve “Axios”, delegacionet janë takuar në Havanë më 10 prill.

Në takim thuhet se i pranishëm ishte edhe nipi i liderit revolucionar kuban 94-vjeçar, Raúl Castro.

Raúl Guillermo Rodríguez Castro, i njohur si “Raulito” konsiderohet një nga bashkëpunëtorët më të afërt të gjyshit të tij.

Presidenti amerikan, Donald Trump ka kërcënuar disa herë se do të ndërmarrë masa më të ashpra ndaj Kubës, duke përmendur hapur edhe mundësinë e “marrjes” së ishullit.

Politika e Uashingtonit synon të ushtrojë presion për reforma ekonomike dhe politike në ishullin e Karaibeve, i cili drejtohet nga Partia Komuniste.

Nga ana e saj, Havana e konsideron heqjen e bllokadës së naftës të vendosur nga SHBA-ja në janar si prioritet kryesor.

Mungesa e naftës ka thelluar më tej krizën ekonomike disavjeçare në vend.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër