Prishtinë, 20 prill Zhurnal.mk – Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti në mbledhjen e Qeverisë ka folur edhe për projektligjin për Byronë Shtetërore për verifikimin dhe konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme, raporton Ekonomia Online.
Miratimin e këtij projektligji në lexim të parë Kurti e ka cilësuar si një hap të rëndësishëm për drejtësinë, ndërsa ka theksuar se miratimi në lexim të dytë është i domosdoshëm për funksionalizimin e saj.
“Të dashur qytetarë, miratimi në shqyrtim të parë i projektligjit për Byronë Shtetërore për verifikimin dhe konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme padyshim që përbën një lajm shumë të mirë për vendin tonë dhe drejtësinë. Për këtë, falënderojmë të gjithë deputetët të cilët në seancën plenare votuan për. Por që institucioni përkatës, pra byroja, të jetësohet e të nisë punën, është i domosdoshëm miratimi i këtij projektligji edhe në shqyrtimin e dytë, përkatësisht leximin e dytë. E dimë që emri i ligjit ka trazuar shumëkë. Prandaj kundërshtimet kanë qenë të mëdha, madje edhe të mbështjella si ankesa në Gjykatën Kushtetuese. Vazhdojnë të jenë ende të mëdha, por ne nuk mund dhe nuk do të ndalemi. Do ta jetësojmë këtë zotim, byroja do të bëhet, sepse me të përfundimisht merr fund ajo parulla që kurrë nuk do të duhej të na përsëritej në të ardhmen: ‘Rroga e vogël, fitimi i madh’. E kemi thënë edhe më herët: pasuria e fituar në mënyrë të paligjshme kurrë nuk është as private e as legjitime sepse ajo kurrë nuk është fituar”, tha ai.
