Kurti: Inovacioni dhe kreativiteti, bazë e zhvillimit të qëndrueshëm të Kosovës

Nga D. V.
100 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Prishtinë, 21 prill, Zhurnal.mk – Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka marrë pjesë në shënimin e Ditës Botërore të Inovacionit dhe Kreativitetit, të organizuar nga Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, me moton “Inovacioni dhe kreativiteti nxitës për një të ardhme të qëndrueshme”.

Në fjalën e tij, Kurti theksoi se zhvillimi i qëndrueshëm nuk vjen rastësisht, por është rezultat i institucioneve funksionale, politikave të duhura dhe një sektori privat aktiv.

“Zhvillimi i qëndrueshëm nuk është rezultat i rastësisë dhe as i resurseve natyrore në vetvete. Ai është rezultat i institucioneve publike funksionale dhe i një sektori privat dinamik ku vlerësohen inovacioni dhe kreativiteti”, tha Kurti.

Ai shtoi se Kosova ka potencial të madh njerëzor, duke përmendur rininë dhe diasporën si burime të rëndësishme për zhvillim ekonomik dhe teknologjik.

Kurti theksoi se qeveria ka ndërmarrë hapa konkretë për forcimin e ekosistemit të inovacionit, përfshirë strategji nacionale, kornizë ligjore dhe instrumente financiare për mbështetjen e bizneseve.

“Dje në mbledhjen e Qeverisë miratuam Projektligjin për Inovacion dhe Ndërmarrësi, i cili është tregues i qartë i angazhimit tonë,” tha ai.

Ai përmendi gjithashtu investimet në infrastrukturë inovative, si Parku i Inovacionit në Prizren, qendra të inovacionit në universitete dhe inkubatorë biznesi në disa komuna.

Sipas Kurtit, Kosova synon të forcojë pozicionin e saj në fushën e inovacionit në rajon deri në vitin 2030, duke u mbështetur në bashkëpunimin mes institucioneve publike, sektorit privat dhe partnerëve ndërkombëtarë.

“Inovacioni nuk është vetëm teknologji, por mënyrë e të menduarit dhe guxim për të sfiduar status quo-n,” tha ai në përfundim të fjalimit.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër