Prishtinë, 26 maj, Zhurnal.mk – Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka vlerësuar punën e Inspektoratit Policor të Kosovës (IPK), duke e cilësuar atë si institucion kyç për ruajtjen e integritetit dhe besimit publik në shtet.
Gjatë një vizite në IPK, Kurti tha se forca e institucioneve të sigurisë matet jo vetëm me kapacitetin operacional, por edhe me llogaridhënien dhe kontrollin e brendshëm.
“Në çdo shtet demokratik forca e institucioneve të sigurisë matet jo vetëm me kapacitetin e tyre operacional, por edhe me integritetin, llogaridhënien dhe kontrollin e brendshëm që ato e ushtrojnë mbi veten e tyre”, deklaroi ai.
Sipas tij, IPK është institucioni që garanton zbatimin e ligjit edhe brenda vetë sistemit të sigurisë.
“Është mekanizmi, i cili siguron se ligji zbatohet brenda vetë sistemit të sigurisë dhe se askush nuk është mbi ligjin – pa përjashtim, pa privilegje, pa diskriminim”, tha Kurti.
Ai përmendi edhe operacionet “Pika” dhe “Pika 2”, përmes të cilave janë ndërmarrë veprime ndaj zyrtarëve policorë të dyshuar për korrupsion dhe keqpërdorim të detyrës.
“Janë ndërmarrë veprime ndaj dhjetëra zyrtarëve policorë të përfshirë në raste të korrupsionit apo të keqpërdorimit të detyrës zyrtare, duke dërguar kësisoj një mesazh të qartë institucional: Ligji zbatohet pa përjashtim”, u shpreh ai.
Kurti tha se IPK ka rritur praninë institucionale në gjithë territorin e Kosovës, përfshirë edhe komunat në veri, duke ndikuar në rritjen e besimit qytetar.
Ai shtoi se Qeveria do të vazhdojë ta mbështesë IPK-në në forcimin e kapaciteteve profesionale, garantimin e pavarësisë funksionale dhe modernizimin teknologjik.
“Një IPK e fortë do të thotë një polici më e pastër. Një polici më e pastër do të thotë një shtet më i drejtë”, deklaroi Kurti.
Në fund, ai tha se ankesat e qytetarëve duhet të konsiderohen si kërkesa për bashkëpunim me shtetin.
“Ankesat e qytetarëve duhet përherë t’i konsiderojmë si kërkesa për bashkëpunim me shtetin”, përfundoi Kurti.
