Kurti optimist për zgjidhjen e cështjes së postit të presidentit apo presidentes

Nga B.M
487 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se janë duke u përgatitur që sa më shpejt të konstituohet Kuvendi i Kosovës dhe të formohet Qeveria e re, meqë sipas tij ekziston urgjencë për miratimin e buxhetit dhe marrëveshjeve ndërkombëtare.

Ai theksoi se buxheti i Republikës së Kosovës për vitin 2026 duhet të përmbyllet brenda muajit shkurt, pasi funksionimi me sistemin e një të dymbëdhjetës nuk mund të vazhdojë edhe në muajin mars.

“Ne po përgatitemi që sa më shpejt ta konstituojmë Kuvendin dhe sa më shpejt ta formojmë Qeverinë, sepse, siç e dini, i kemi tri marrëveshje ndërkombëtare me Bankën Botërore. Njëkohësisht e kemi edhe Planin e Rritjes me Bashkimin Evropian, në vlerë prej 882.6 milionë eurosh, që duhet sa më parë të miratohet në Kuvendin e Republikës, pa harruar edhe buxhetin për vitin 2026”, shtoi ai.

Kurti rikujtoi se Qeveria mund të funksionojë me buxhetin e përkohshëm vetëm deri në fund të muajit shkurt.

“Me një të dymbëdhjetën Qeveria mund të vazhdojë vetëm edhe në muajin shkurt, ndërsa në mars kjo nuk është e mundur. Prandaj, në shkurt duhet ta kemi të përmbyllur buxhetin e vitit 2026,” tha ai.

Duke folur për përbërjen e kabinetit të ri qeveritar, Kurti paralajmëroi se do të ketë vazhdimësi, por edhe ndryshime.

“Do të ketë shumë prej emrave që i kam prezantuar unë dhe Glauk Konjufca në vjeshtën e vitit të kaluar, por kabineti nuk do të jetë identik. Do të ketë edhe emra të rinj”, u shpreh Kurti.

I pyetur për postin e presidentit të shtetit, Kurti tha se prioritet mbeten fillimisht konstituimi i Kuvendit, formimi i Qeverisë dhe miratimi i buxhetit, ndërsa më pas do të ecet edhe drejt hapit të katërt.

“Së pari duhet t’i përmbyllim këta tre hapa, e pastaj do të ecim edhe me hapin e katërt mbarë e mirë”, përfundoi Kurti. 

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër