Kurti për 7 Shtatorin: 36 vjet nga shpallja e Republikës së Kosovës në Kaçanik

Nga D V
5 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Prishtinë, 7 shtator, Zhurnal.mk – Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka kujtuar 36-vjetorin e shpalljes së Republikës së Kosovës më 7 shtator të vitit 1990 në Kaçanik.

Kurti ka thënë se 36 vite më parë, delegatët e zgjedhur të Kuvendit të Kosovës e shpallën Kosovën republikë dhe miratuan kushtetutën e saj.

“U bënë 36 vite nga dita kur delegatët e zgjedhur të Kuvendit të Kosovës, e shpallën Kosovën republikë dhe e miratuan një kushtetutë për të”, ka shkruar Kurti.

Ai ka rikujtuar se më 7 shtator 1990, 80 nga 111 delegatët e Kuvendit të Kosovës u mblodhën në mënyrë të fshehtë në Shtëpinë e Kulturës në Kaçanik, ku unanimisht miratuan dokumentin kushtetues dhe shpallën Kosovën republikë.

“Më 7 shtator të vitit 1990, dy muaj pas miratimit të deklaratës kushtetuese të 2 korrikut, 80 delegatë të Kuvendit të Kosovës nga 111 sa ishin gjithsej, arritën të mblidhen në Shtëpinë e Kulturës në Kaçanik, në një mbledhje të fshehtë, në të cilën unanimisht e miratuan një dokument kushtetues të sapohartuar dhe e shpallën Kosovën republikë”, ka shkruar ai.

Sipas Kurtit, ky akt politik dhe juridik ishte kundërvënie ndaj regjimit të atëhershëm të Serbisë, i cili një vit më parë kishte suprimuar autonominë e Kosovës.

“Me këtë akt politik të deklarimit të Republikës së Kosovës, i pasuar nga akti juridik i miratimit të kushtetutës së saj, ata iu kundërvynë regjimit okupator të Serbisë që një vit më parë ia kishte suprimuar autonominë Kosovës. Kështu autonomia e fituar më 1974 dhe e suprimuar më 1989, u zëvendësua me republikë më 1990”, ka deklaruar Kurti.

Kryeministri në detyrë e ka cilësuar atë si republikën e parë të Kosovës, e cila, sipas tij, u shndërrua në një republikë të rezistencës, fillimisht paqësore e më pas të armatosur.

“Kjo do të ishte e para republikë e Kosovës, një republikë që rezultoi të ishte republikë për rezistencë, njëherë paqësore e mandej e armatosur, kulmuar me luftën çlirimtare dhe të drejtë të popullit tonë të organizuar nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës, më 1998 dhe 1999”, ka shkruar ai.

Kurti ka theksuar se më 17 shkurt 2008, Republika e Kosovës e shpallur në Kaçanik u ripërtëri si shtet i pavarur, sovran dhe demokratik.

“Do të duhej të vinte 17 shkurti i vitit 2008, që republika e Kosovës e shpallur më 7 shtator 1990 në Kaçanik, të ripërtrihej në Republikën e Kosovës shtet të pavarur, sovran dhe demokratik, të njohur nga 121 shtete të botës deri më tani”, ka shkruar Kurti.

Ai ka shprehur mirënjohje për brezin që kontribuoi dhe u angazhua për Republikën e Kosovës gjatë viteve ’90.

Kujtojmë me mirënjohje brezin kontribues e të angazhuar për Republikën e Kosovës gjatë viteve ’90, me urimet më të mira për të ardhmen politike të republikës sonë sot!”, shtuar Kurti.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër