Kurti përkujton Xhavit Hazirin në 28-vjetorin e zhdukjes

Nga D V
14 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Prishtinë, 17 shtator, Zhurnal.mk – Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka përkujtuar aktivistin e shquar Xhavit Haziri, në 28-vjetorin e zhdukjes së tij nga autoritetet serbe.

Kurti ka bërë të ditur se ka kryer homazhe pranë shtatores së Hazirit në Obiliq, duke nderuar jetën dhe veprën e tij.

“28 vite më parë, aktivisti i shquar Xhavit Haziri, u rrëmbye nga autoritetet e sigurisë së Serbisë dhe u zhduk dhunshëm, duke ngelur i pagjetur që nga atëherë”, ka shkruar Kurti.

Sipas tij, Haziri u rrëmbye më 17 shtator të vitit 1998, teksa po shkonte nga shtëpia e tij drejt zyrave të Këshillit për Mbrojtjen e Lirive dhe të Drejtave të Njeriut në Prishtinë, ku punonte.

Kurti ka rrëfyer se Haziri u rrëmbye pranë Xhamisë së Llapit nga dy zyrtarë të shërbimit të fshehtë të Serbisë, të cilët e futën në një veturë “Golf” të bardhë. Dëshmitarët e rastit kishin deklaruar se vetura kishte lëvizur në drejtim të rrugës ku gjendej Medreseja e Prishtinës.

Familjarët e Hazirit e raportuan zhdukjen e tij në media më 21 shtator 1998, ndërsa ai ka mbetur i pagjetur që nga ajo kohë.

Angazhimi politik dhe patriotik

Xhavit Haziri, i lindur më 1960 dhe me origjinë nga Druari i Vushtrrisë, ishte shkolluar në Obiliq dhe kishte përfunduar studimet për drejtësi në Universitetin e Prishtinës.

Pas demonstratave të vitit 1981, ai ishte angazhuar në përafrimin dhe bashkimin e organizatave të fshehta politike në Kosovë. Për veprimtarinë e tij, Haziri kishte vuajtur dënim me burg nga viti 1986 deri më 1990.

Pas lirimit, ai e kishte vazhduar aktivitetin politik dhe patriotik në Lëvizjen Popullore të Kosovës dhe në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës.

Kurti e ka cilësuar Hazirin si hero të Kosovës dhe dëshmor të lirisë së saj.

“Xhavit Haziri do të kujtohet për angazhimin e tij patriotik ndër shokë në historinë e betejave të popullit të Kosovës për liri. Lavdi!”, ka përfunduar Kurti.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër