Kuvend, interpelancë urgjente me ministrin e Brendshëm dhe shtatë projektligje në rend dite

Nga D V
A+ A-
Rivendos

Tiranë, 22 tetor, Zhurnal.mk – Kuvendi i Shqipërisë do të zhvillojë sot, në orën 10:00, seancën plenare, me një rend dite që përfshin interpelanca me tre ministra, shqyrtimin e disa projektligjeve dhe ngritjen e Komisionit të Posaçëm Parlamentar për fazën e dytë të Reformës Administrativo-Territoriale.

Në rendin e ditës është parashikuar një interpelancë urgjente me ministrin e Punëve të Brendshme, Ervin Demo, kërkuar nga një grup deputetësh të Partisë Demokratike.

Po ashtu, do të zhvillohen dy interpelanca me ministrin e Infrastrukturës dhe Energjisë, Enea Karakaçi, të kërkuara nga deputetët Ermal Pacaj dhe Tedi Blushi, si dhe një interpelancë me ministrin e Financave, Petrit Malaj, e kërkuar nga deputeti Tedi Blushi.

Gjatë seancës pritet të shqyrtohen disa projektligje, mes të cilave ratifikimi i Konventës së Këshillit të Evropës për Mbrojtjen e Profesionit të Avokatit, marrëveshja me Maqedoninë e Veriut për ngritjen e pikave të përbashkëta të kalimit kufitar dhe kryerjen e kontrolleve të përbashkëta, si dhe ndryshimet në ligjin për shërbimet e pagesave.

Në rendin e ditës janë përfshirë gjithashtu projektligji për parandalimin e pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit, ndryshimet në ligjin për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to, si dhe projektligji për treguesit gjeografikë për produktet artizanale dhe industriale.

Deputetët do të shqyrtojnë edhe projektvendimin për ngritjen e Komisionit të Posaçëm Parlamentar për fazën e dytë të Reformës Administrativo-Territoriale në Republikën e Shqipërisë.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër