66
Shkup, 26 tetor, Zhurnal.mk – Me 63 vota kundër dhe 19 për, Kuvendi nuk e votoi interpelancën e partisë E Majta ndaj Ministres së Energjisë, Minierave dhe Burimeve Minerale, Sanja Bozhinovska. Në interpelancën e paraqitur, E Majta akuzoi për keqmenaxhim të politikës energjetike, favorizim të kapitalit privat dhe dëmtim të interesit publik. Sipas tyre, nën drejtimin e Bozhinovskës, kompania shtetërore ESM është detyruar të marrë kredi për importin e energjisë elektrike, ndërsa energjia i është shitur operatorit EVN Home më lirë se kostoja reale e prodhimit. Kritikat u drejtuan edhe ndaj Komisionit Rregullator të Energjetikës, të cilin partia e akuzon se i ka mundësuar EVN-së të sigurojë të ardhura të garantuara prej mbi 187 milionë euro, ndërsa qytetarët mbeten pa mbrojtje të mjaftueshme nga kostot e energjisë. Deputeti i Së Majtës, Amar Mercinoviq, kritikoi edhe mungesën e përgjegjësisë institucionale dhe moszbatimin e sanksioneve për shkeljet e konstatuara.
“Shteti i cili nuk ka kontroll ndaj kapaciteteve të veta energjetike dhe i cili nuk disponon me instrumente për të ndikuar ndaj çmimit të energjisë, atëherë bëhet e varur ndaj rrethanat të tregut. Andaj menaxhimi i sektorit të energjetikës nuk mund të bëhet çështje vetëm e bordeve drejtuese të ndërmarrjeve, të trupave rregullatore ose operatorëve privatë, por kjo është çështje thelbësore për politika publike; Qeveria dhe Ministria duhet të mbartin përgjegjësi të qartë për veprimet e tyre.”, – deklaroi deputeti i partisë E Majta, Amar Mercinoviq.
Akuzave të Së Majtës iu kundërpërgjigj ministrja Boshinovska. Ajo theksoi se nuk është kompetente për vendimet e ESM-së, e as të Komisionit Rregullator për Energjetikë. Ajo renditi një sërë suksesesh të Ministrisë që ajo drejton, në krye me Ligjin e ri për energjetikë dhe vauçerët e dhuruar.
“Në programin për vitin 2025 kemi dhënë 3.750 vauçerë me nga 28 mijë denarë. Këto janë 105 milionë denarë. Në programin për vitin 2026 kemi realizuar mbi 500 vauçerë elektronikë. Këtë vit masa është drejtuar kah amvisëritë për personat me aftësi të kufizuara. Për herë të parë është sjellë metodologji për matjen e varfërisë energjetike në Maqedoni. Kjo e përmirëson mbështetjen bazike që të lidhet gjendja reale, sociale dhe energjetike.”, – theksoi ministrja e Energjetikës, Sanja Bozhinovska.
Deputeti i LSDM-së, Fatmir Bytyqi, mbështet interpelancën ndaj ministres Bozhinovska. Ai vlerësoi se mungon një lidhje e qartë ndërmjet investimeve në energjetikë, uljes së varfërisë energjetike, efikasitetit energjetik dhe shpërndarjes së drejtë të përfitimeve ekonomike. Sipas Bytyqit, vendi ka burime natyrore dhe potencial njerëzor për zhvillimin e sektorit energjetik, por mungojnë politikat funksionale që do t’i lidhin këto mundësi.
“Atdheu ynë ka diell, ujë, kapital dhe njerëz të gatshëm për të krijuar. Kemi gjithçka që nevojitet për zhvillimin energjetik, përveç politikave mjaftueshëm funksionale që do t’i lidhin këto mundësi me tregun evropian dhe mirëqenien e qytetarëve.”, – u shpreh deputeti i LSDM-së, Fatmir Bytyqi.
Dorëzuesit e interpelancës nënvizuan se ndaj kompanisë EVN çdo muaj qytetarët dërgojnë 18 mijë ankesa për llogari paushall, andaj nevojiten politika për mbrojtjen e qytetarëve.
