​Kuvendi i Shqipërisë nesër shpall Iranin shtet terrorist

Nga Xh M
853 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Kreu i Grupit Parlamentar i Partisë Socialiste, Taulant Balla reagoi sot pas vendimit të Partisë Demokratike për të bojkotuar seancën plenare ditën e nesërme. Përmes një postimi në rrjetet sociale, Balla bëri të ditur se nesër do të votohet projekt-rezoluta që Irani të shpallet shtet terrorist, e cila është urgjente.

“Keqardhje për njoftimin se Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike do ta bojkotojë seancën e nesërme të Kuvendit të Shqipërisë, me pretekstin se në këtë seancë është propozuar nga ne një projekt-rezolutë për “Për shpalljen e Republikës Islamike të Iranit si Shtet Sponsor i Terrorizmit dhe Shtet që përdor mjete terroriste”. Sipas tyre nevoja e menjëhershme e një qëndrimi të Shqipërisë përkrah SHBA ndaj veprimeve terroriste të Iranit, qenka një agjendë personale. Seriozisht e mendoni këtë, apo ta kuptojmë si një lapsus?! Sonte mund t’ju them se sqarimet se pse kjo Rezolutë është urgjente do t’i japim nesër në Konferencën e Kryetarëve dhe urojmë që deri nesër keni ende kohë të reflektoni”, shkruan Balla.

Gjithashtu sipas Ballës seanca nuk është thirrur në kundërshtim me rregulloren.

“Seanca e nesërme, ditën e Martë 17 Mars 2026, është propozuar në Konferencën e Kryetarëve të datës 18 Shkurt 2026 dhe miratuar me vendim të Seancës Plenare, pra një muaj më parë (referojuni proces-verbalit të Mbledhjes së Konferencës së Kryetarëve, të cilat janë publike) Kush ju ka urdhëruar të bojkotoni nesër seancën, nuk jua dashka të mirën ju dhe Shqipërisë”, u shpreh Balla.

Por, sipas kreut të grupit parlamentar të PD-së, Gazment Bardhit, “në rendin e ditës nuk është përfshirë miratimi i ndonjë rezolute”. Sipas tij është përfshirë vetëm miratimi i procesverbaleve dhe njoftimet.

Bardhi theksoi më tej se “në kalendarin e punimeve të Kuvendit, të miratuar nga seanca plenare e datës 19 Shkurt 2026, seanca është planifikuar të zhvillohet të enjten, datë 19 Mars 2026. Ndryshimi i ditës së mbledhjes së seancës plenare është bërë në mënyrë të njëanshme nga Kryetari i Kuvendit, sipas axhendës së tij personale dhe kundërshtim me Kalendarin e miratuar me vendim të Kuvendit. Për pasojë, mbledhja e seancës plenare është thirrur në kundërshtim me Rregulloren e Kuvendit”, shkruan ATSh.

Sipas Bardhit, Grupi Parlamentar i Partisë Socialiste” është bërë streh e të korruptuarve dhe personave të lidhur me krimin e organizuar”.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër