Kuvendi nisi seancën për zgjedhjen e anëtarëve të rinj të Qeverisë

Nga R.ZH
924 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Shkup, 13 korrik, Zhurnal.mk – Kuvendi i Maqedonisë së Veriut sot nisi seancën e 112-të, në të cilën pritet të shkarkohen dhe të zgjidhen anëtarë të rinj të Qeverisë.

Aktualisht, kryeministri Hristijan Mickoski po arsyeton propozimin për shkarkimin e disa anëtarëve të kabinetit qeveritar.

Sipas propozimit, Kuvendi duhet ta shkarkojë Igor Fillkovin nga posti i ministrit të Drejtësisë (ZNAM), ndërsa në vend të tij të zgjedhë Jeton Shaqirin (VLEN). Ivan Stoilkoviq (koalicioni VMRO-DPMNE) do të shkarkohet nga posti i ministrit për Marrëdhënie ndërmjet Bashkësive, por pritet të marrë funksionin e ministrit të Vetëqeverisjes Lokale.

Zlatko Perinski, ministri aktual i Vetëqeverisjes Lokale, do të shkarkohet dhe pritet të emërohet drejtor i Fondit për Sigurim Shëndetësor, ku aktualisht ushtron detyrën Sasho Klekovski (VMRO-DPMNE). Klekovski, nga ana tjetër, pritet të zgjidhet nga Kuvendi si ministër i ri i Shëndetësisë, duke zëvendësuar Azir Aliun.

Për ministër të Marrëdhënieve ndërmjet Bashkësive është propozuar Agon Ferati (VLEN).

Cvetan Tripunovski do të shkarkohet nga posti i ministrit të Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujërave, ndërsa në vend të tij është propozuar Borçe Serafimovski (ZNAM).

Fatmir Limani pritet të shkarkohet nga posti i ministrit të Politikës Sociale, Demografisë dhe Rinisë, ndërsa këtë funksion ta marrë Gjoko Velkovski (VMRO-DPMNE).

Zoran Ljutkov do të shkarkohet nga posti i ministrit të Kulturës dhe Turizmit, ndërsa në vend të tij është propozuar Sedat Sulejmani (VLEN).

Në vend të ministrit pa resor Shaban Saliu është propozuar Erxhan Demir (VMRO-DPMNE).

Në përputhje me Rregulloren e Punës së Kuvendit, pas propozimit për shkarkimin e një anëtari të Qeverisë hapet debat, i cili mund të zgjasë deri në dy ditë. Ministri për të cilin është paraqitur propozimi për shkarkim ka të drejtë të deklarohet për propozimin në kohëzgjatje deri në 15 minuta. Ministrat e rinj zgjidhen me shumicën e votave të numrit të përgjithshëm të deputetëve.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër