Lamborghini shtyn modelet elektrike, fokusi është te hibridet plug-in

Nga D. V.
457 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Stephan Winkelmann, kreu i Lamborghinit, nuk pendohet aspak për shtyrjen e prezantimit të modeleve të para elektrike të kësaj marke italiane.

Ai vendimin për shtyrjen pa afat të modeleve plotësisht elektrike Lanzador dhe Urus e ka quajtur “rruga e duhur”, duke marrë parasysh se klientët e supermakinave ende nuk janë gati për kalimin te energjia elektrike.

Kanë kaluar gati tre vite që kur Lamborghini prezantoi konceptin Lanzador, një GT elektrik me dy dyer, me të cilin paralajmëroi hyrjen në botën e veturave elektrike. Ndryshe nga modeli elektrik i Ferrarit, për të cilin flitet gjerësisht dhe që është gati për prodhim, Lanzador ishte një premtim për një të ardhme që, siç duket tani, nuk do të vijë aq shpejt sa ishte planifikuar fillimisht.

Plani fillestar ishte që Lanzador të dilte në vitin 2028, por ky afat fillimisht u shty në 2029, ndërsa më pas u shty pa afat. Një fat i ngjashëm ka prekur edhe versionin elektrik të SUV-it Urus, i cili po ashtu duhej të dilte në treg para fundit të dekadës. Edhe pse Lamborghini nuk po heq dorë nga zhvillimi i një veture elektrike, është e sigurt që ajo nuk do të shfaqet para vitit 2030.

Duke marrë parasysh vëmendjen mediatike që po tërheq vetura elektrike e Ferrarit, gazetarët e CNBC e pyetën Winkelmann-in për koment rreth heqjes dorë nga planet për Lanzador dhe Urus elektrik. CEO i Lamborghinit konfirmoi se nuk pendohet për këtë vendim.

“Duke e parë tregun, kemi kuptuar se kurba e pranimit të veturave elektrike për llojin tonë të klientëve nuk po rritet. Prandaj kemi vendosur të largohemi nga veturat plotësisht elektrike dhe të përqendrohemi te hibridet plug-in”, shpjegoi Winkelmann.

Ai gjithashtu refuzoi të komentojë në detaje veprimet e konkurrencës, duke thënë shkurt se “çdo markë, çdo kompani duhet të vendosë për veten” dhe se “secila ka strategjinë e saj”.

Kjo nuk është hera e parë që Winkelmann shpreh skepticizëm për përfitueshmërinë aktuale të supermakinave elektrike. Disa muaj më parë ai deklaroi për The Sunday Times se veturat elektrike janë në këtë moment “një hobi i shtrenjtë” për shkak të pranimit të ulët në treg.

“Investimi i madh në zhvillimin e veturave plotësisht elektrike, kur tregu dhe klientët nuk janë gati, do të ishte një hobi i shtrenjtë dhe financiarisht i papërgjegjshëm ndaj aksionarëve, klientëve dhe punonjësve tanë”, tha ai atëherë.

Duke parë përpara, Lamborghini planifikon të zgjerojë gamën e saj me një model të katërt krahas Temerario, Revuelto dhe Urus. Platforma me ulëse 2+2, e zhvilluar për Lanzador, po përshtatet që të mund të përdorë edhe motor me djegie të brendshme në kombinim me sistem plug-in hibrid, sipas modeleve ekzistuese që tashmë janë PHEV.

Kështu, marka synon të balancojë dëshirat e klientëve të saj, të cilët ende preferojnë zhurmën dhe fuqinë e motorëve me djegie të brendshme, me kërkesat rregullatore për uljen e emetimeve. Koha për një Lamborghini plotësisht elektrik do të vijë, por jo në këtë dekadë. Ferrari, nga ana tjetër, ka një vizion tjetër dhe vetëm koha do të tregojë nëse zgjedhja e tyre ka qenë e duhur.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër