Latifi: Investimet në interkoneksionet energjetike mund ta bëjnë Maqedoninë qendër rajonale

Nga Xh M
643 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Shkup, 4 qershor Zhurnal.mk – Drejtori i MEPSO, Burim Latifi, vlerëson se zhvillimi i lidhjeve të reja energjetike me vendet fqinje krijon mundësi reale që Maqedonia e Veriut të pozicionohet si një qendër rajonale për bashkëpunim dhe dialog në sektorin energjetik.

Në një deklaratë për TV21, Latifi tha se organizimi i Forumit Energjetik të Maqedonisë në Shkup përfaqëson një hap të rëndësishëm drejt forcimit të rolit të vendit në tregun energjetik të Ballkanit Perëndimor.

Ai theksoi se Maqedonia e Veriut duhet të shfrytëzojë pozitën e saj strategjike gjeografike përmes investimeve në interkoneksione të reja dhe modernizimit të lidhjeve ekzistuese energjetike me vendet e rajonit.

Sipas Latifit, tashmë ka nisur ndërtimi i interkoneksionit energjetik ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë, ndërsa së bashku me Kosovën është dorëzuar aplikacioni për projekt me interes të përbashkët për lidhjen e re energjetike Tetovë–Prizren.

“Po punojmë intensivisht edhe me Greqinë për forcimin e interkoneksionit ekzistues Manastir–Meliti”, deklaroi ai.

Latifi vlerësoi se këto projekte do të kontribuojnë në rritjen e stabilitetit energjetik, sigurisë së furnizimit me energji elektrike dhe integrimit më të madh rajonal, duke e bërë vendin një nyje të rëndësishme energjetike në Ballkanin Perëndimor.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër