Shkup, 2 shtator, Zhurnal.mk – Nga Levica reagojnë ndaj deklaratave të përfaqësuesve të VMRO‑DPMNE për gjendjen demografike, natalitetin dhe vlerat e të rinjve.
“DPMNE këto ditë flet gjithnjë e më zëshëm për ‘katastrofën demografike’, natalitetin dhe ‘vlerat e gabuara’ të të rinjve. Arsyeja është e thjeshtë shifrat tashmë nuk mund të fshihen”, thonë nga Levica.
Prej andej theksojnë se në fillim të vitit të ri shkollor Maqedonia ka rreth 3.000 nxënës të klasës së parë më pak se vitin e kaluar, ndërsa dhjetëra shkolla mbeten pa nxënës.
“Ndërsa shteti literalish zbrazet para syve të tyre, DPMNE në panik kërkon dikë mbi të cilin do ta hedhë fajin për pasojat e politikave që për dekada i kanë krijuar të gjitha partitë që kanë ngrohur kolltuqet në Qeveri”, qëndron në reagim.
Nga Levica e kritikojnë edhe ministren e Arsimit Vesna Janevska për shkak të mesazhit drejtuar nxënësve të klasës së parë që t’u kërkojnë prindërve t’u lindin vëlla ose motër.
“Ndërsa bankat mbeten bosh sepse tërë familjet e braktisin Maqedoninë, ministrja e ngarkuar për arsimin u mban leksione fëmijëve gjashtëvjeçarë se si ata duhet ta zgjidhin krizën demografike”, thonë nga partia.
Levica vlerëson se problemi nuk është tek ‘vlerat’ e të rinjve, por tek kushtet e jetesës në vend.
“Nuk është problem që i riu studion me vite për të kërkuar më pas punë përmes librezës partiake. Nuk është problem që shtëpia e vet bëhet ëndërr e paarritshme edhe me dy paga. Nuk është problem që shëndetësia publike po shkatërrohet, ndërsa arsimi po shndërrohet në një fushë tjetër ku shihet kush ka lidhje e kush jo. Nuk është problem që korrupsioni e ka ngrënë çdo institucion dhe e ka shkatërruar çdo besim se në këtë shtet mund të arrihet diçka pa parti, lidhje dhe përkatësi politike. Jo – problemi, sipas DPMNE, është që populli nuk lind mjaftueshëm”, theksojnë nga Levica.
Nga partia shtojnë se të rinjtë e braktisin vendin sepse kërkojnë kushte më të mira për jetë dhe mundësi për të ardhmen.
“Maqedonia nuk mbetet pa fëmijë sepse të rinjtë papritmas kanë pushuar së dashuri familjet. Maqedonia mbetet pa fëmijë sepse mbetet pa të rinj”, thonë nga Levica.
Sipas tyre, veçanërisht hipokrite është, siç theksojnë, ‘kujdesi’ për demografinë, duke pasur parasysh se Mickoski para një viti mendonte për futjen e taksës për të pamartuarit.
“Shumë më e lehtë është ta akuzosh popullin se nuk ka mjaft patriotizëm, vlera familjare ose dëshirë për lindje, sesa ta pranosh se nën DPMNE dhe LSDM kanë dështuar të gjithë shtyllat e një shoqërie normale”, thonë nga Levica.
“Ndërsa e djathta e udhëhequr nga DPMNE i akuzon qytetarët se nuk lindin mjaftueshëm, qytetarët çdo ditë votojnë kundër politikave të tyre me këmbë largohen. Me DPMNE, nuk do të mbetet kush t’i mbushë shkollat, e lëre më maternitetet”, qëndron në reagim.
