Lëvizja e Studentëve Shqiptarë ridorëzon kërkesën: Provimet shtetërore të zhvillohen edhe në gjuhën shqipe

Nga D. V.
741 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Shkup, 7 gusht, Zhurnal.mk – Përfaqësuesi i Lëvizjes së Studentëve Shqiptarë, Mevlan Ademi, ka bërë të ditur se, pas më shumë se dy vitesh, është ridorëzuar zyrtarisht kërkesa për mundësimin e zhvillimit të provimeve shtetërore edhe në gjuhën shqipe, shkruan gazeta KOHA.

Sipas Ademit, kërkesa është dorëzuar së bashku me kryetarin e Parlamentit Studentor të Universitetit të Evropës Juglindore (UEJL), Besjan Rexhepi, dhe kësaj radhe përfshin jo vetëm Provimin e Jurisprudencës, por edhe provimet për noter, përmbarues dhe të gjitha provimet shtetërore që, siç theksohet, vazhdojnë të organizohen vetëm në gjuhën maqedonase, në kundërshtim me Ligjin për Përdorimin e Gjuhëve.

Ademi vlerëson se studentët shqiptarë nuk duhet të përballen me diskriminim dhe se duhet të kenë mundësi të barabarta për t’u arsimuar, për t’u certifikuar dhe për të ushtruar profesionin e tyre në vendin e tyre. Ai u bën thirrje institucioneve kompetente që të zbatojnë ligjin, të respektojnë të drejtat gjuhësore dhe të veprojnë në shërbim të qytetarëve, duke theksuar se gjuha shqipe është një e drejtë e garantuar me ligj dhe jo privilegj.

Lëvizja e Studentëve Shqiptarë prej më shumë se dy vitesh kërkon që të gjitha provimet shtetërore të jenë të qasshme edhe në gjuhën shqipe, duke e konsideruar këtë një çështje të barazisë, mosdiskriminimit dhe respektimit të rendit juridik në Maqedoninë e Veriut.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër