Shkup, 6 gusht, Zhurnal.mk – Pas miratimit të Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve, u krijuan dy institucione që do të garantonin zbatimin e tij në praktikë. Njëri prej tyre është Inspektorati për Përdorimin e Gjuhëve, i udhëhequr nga Arsim Idrizi pikërisht nga fshati Llojan, një vendbanim i banuar plotësisht me shqiptarë. Ironikisht, pak ditë më parë, në hyrje të këtij fshati u vendos një tabelë orientuese ku mungon vetëm gjuha shqipe. Pra, drejtori që duhet të gjobisë shkeljet e ligjit, çdo ditë kthehet në shtëpi duke kaluar pranë tabelës që nuk e bën hesap. Kjo heshtje institucionale nuk është rastësi, Idrizi nuk tha asnjë fjalë, nuk ndërmori asnjë veprim, nuk dha asnjë sqarim. Një drejtori që nuk dihet çfarë drejton, nuk mund të pritet të mbrojë gjuhën shqipe në vendbanimin e tij, e aq më pak në gjithë territorin e shtetit. Por shpërfillja nuk përfundon në Llojan, dje vetëm pak kilometra më larg, në pikën kufitare Tabanoc, udhëtarëve u thuhet “mirësevini” në të gjitha gjuhët përveç shqipes. Në kulmin e sezonit të pushimeve, kur diaspora shqiptare vërshon vendlindjen, pamja e parë që sheh një shqiptar në kufi është mohimi i gjuhës së tij, dhe për këtë akoma ka polemika është në shqip apo jo? shkruan Zhurnal.
Mirëseardhje në RMV, por jo për shqiptarët e më vonë po
Në periudhën kur mijëra shqiptarë nga diaspora kthehen në vendlindje, tabela e parë që i pret në kufi është një mesazh i qartë gjuha shqipe nuk është e mirëseardhur. Në pikën kufitare Tabanoc, tabela e mirë se ardhjes është vendosur pa shqipen, duke e bërë të dukshme një qasje të qëllimshme të anashkalimit.
Ky rast nuk është as i pari, as i fundit. Por është vetëm një hallkë në zinxhirin e gjatë të shpërfilljes institucionale. Në vend që të ketë reagim të menjëhershëm, drejtori i Inspektoratit institucioni që ka detyrimin ligjor të veprojë hesht. Heshtja e tij nuk është neutrale është pjesë e problemit. Sepse kur institucioni përgjegjës nuk reagon, shkelja normalizohet. Tabela u vendos pa shqipen u largua, nga VLEN disa orë më vonë përmes një videoje të publikuara thanë se ekziston edhe shqipja, pas kësaj u konfirmua që videoja që qarkullonte në rrjete ishte e vjetër.
Çfarë tregon kjo, kush e informon drejtorin dhe kush me kë po luan me këtë qasje?
Kur do të zgjohet nga gjumi drejtori i Inspektoratit?
Kur do të kuptojë se heshtja e tij po e dëmton gjuhën që ai ka detyrimin ta mbrojë? Sepse një institucion që hesht për shkeljet në fshatin e vet, nuk mund të pritet të mbrojë gjuhën në gjithë vendin.
Zhurnal alarmoi tabela pa shqipe edhe në hyrje të fshatit të vet drejtorit
Agjencia e lajmeve Zhurnal alarmoi ditë më parë se në hyrje të fshatit Llojan vendbanimi i drejtorit të Inspektoratit është vendosur një tabelë ku gjuha shqipe mungon. Ky rast është simbolik, sepse shkelja ndodh pikërisht aty ku drejtori jeton, aty ku ai kalon çdo ditë, aty ku ai duhet të reagojë i pari si qytetarë e lëre më nga pozicioni që është duhet të kishte vepruar qysh atë ditë.
Nga Llojani deri në Tabanoc, nga fshati i drejtorit deri në kufirin e shtetit, gjuha shqipe po përballet me një shpërfillje të qëllimshme dhe të vazhdueshme. Institucioni që duhet ta mbrojë hesht e drejtori që duhet të veprojë nuk flet.
“Qele gojën, gur!” është thirrje për përgjegjësi sepse gjuha shqipe nuk ka nevojë për video të së kaluarës, por për veprime të së tashmes për të garantuar të ardhmen. Derisa Inspektorati të zgjohet nga gjumi, derisa drejtori të kuptojë se heshtja e tij po dëmton gjuhën e një komuniteti të tërë, shqiptarët do të vazhdojnë të hyjnë në shtetin e tyre me tabela që nuk i njohin, me institucione që nuk i mbrojnë, me një gjuhë që po zbehet në heshtje. Gjuha shqipe nuk humbet brenda natës, ajo humbet kur hesht ai që ka detyrimin ta mbrojë dhe sot heshtja po flet më shumë se çdo tabelë. /Zhurnal.mk
