Shkup, 7 mars, Zhurnal.mk – Pas homazheve të bëra në Kompleksi Memorial Adem Jashari në Prekaz dhe në kullën e Rifat Jashari, liderët e koalicionit VLEN pasditën e së shtunës kanë zhvilluar një takim edhe me kryeministrin e Kosovë, Albin Kurti, transmeton zhurnal.mk.
Lajmi është bërë i ditur nga vetë liderët e koalicionit përmes publikimeve në rrjetet sociale, ku kanë ndarë fotografi nga takimi i zhvilluar në Prishtinë.
Në takimin me Kurtin kanë marrë pjesë disa nga figurat kryesore të VLEN-it, përfshirë Izet Mexhiti, Bilall Kasami, Bekim Sali, Bekim Qoku, si dhe deputetët Mimoza Musa dhe Ilir Demiri.
Takimi vjen në një kohë kur liderët e koalicionit po vazhdojnë konsultimet dhe aktivitetet politike me synimin për ta finalizuar shndërrimin e VLEN nga një koalicion zgjedhor në një subjekt të vetëm politik.
Ndërkohë, vëmendje ka tërhequr mungesa e Arben Fetai, kryetar i Aleanca për Shqiptarët dhe njëherazi zëvendëskryeministër për Qeverisje të Mirë në Maqedonia e Veriut. Sipas informacioneve, Fetai ditëve të fundit nuk ka qenë pjesë e takimeve të liderëve të VLEN-it, duke u konsideruar nga disa burime si i distancuar nga procesi aktual politik brenda koalicionit.
Ndryshe, për të përshpejtuar procesin e krijimit të një partie të përbashkët, Lëvizja Besa, e udhëhequr nga Bilall Kasami, mori vendim për shkarkimin e të gjithë kryesisë së partisë, ndërsa Kasami u autorizua të vazhdojë negociatat për formimin e subjektit të ri politik.
Një hap të ngjashëm ndërmori edhe Lëvizja Demokratike, e udhëhequr nga Izet Mexhiti, ku gjithashtu Mexhiti u autorizua nga strukturat partiake që të vazhdojë negociatat për bashkimin e koalicionit në një parti të vetme.
Procesi i transformimit të VLEN-it në një subjekt të vetëm politik pritet të jetë një nga zhvillimet më të rëndësishme në skenën politike shqiptare në Maqedonia e Veriut gjatë periudhës në vijim.
