Lidhja Demokratike “kundër përdorimit të gjuhës shqipe”: Gjuha maqedonase është shtetërore, protestat janë të motivuara politikisht

Nga B.M
463 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Shkup, 8 prill, Zhurnal.mk – Deklaratat e fundit të Lidhja Demokratike lidhur me përdorimin e gjuhës në provimin e jurisprudencës kanë hapur debat publik nëse kjo parti po pozicionohet kundër përdorimit të gjuhës shqipe në institucionet shtetërore.

Në reagimin e saj, Lidhja Demokratike i cilëson protestat e studentëve shqiptarë si “të motivuara politikisht”, duke akuzuar Bashkimi Demokratik për Integrim për keqpërdorim të çështjes së gjuhës për qëllime politike, transmeton Zhurnal.mk.

Partia thekson se gjuha maqedonase është gjuhë shtetërore dhe duhet të mbetet gjuha e përbashkët e komunikimit, veçanërisht në sistemin e drejtësisë, ku sipas tyre është e domosdoshme që prokurorët, gjykatësit dhe avokatët ta zotërojnë atë.

Megjithatë, nga Lidhja Demokratike theksojnë se gjuha shqipe është në përdorim zyrtar dhe se shqiptarët i gëzojnë të gjitha të drejtat kushtetuese për përdorimin e saj, duke rikujtuar gjithashtu se mbrojtja në gjuhën amtare është e garantuar në procedurat gjyqësore.

Pikërisht ky dualizëm në qëndrime – pranimi formal i të drejtave gjuhësore dhe insistimi për dominimin e gjuhës maqedonase në drejtësi – ka nxitur reagime dhe dilema në opinion nëse qëndrimi i partisë përfaqëson kufizim praktik të përdorimit të gjuhës shqipe.

Nga ana tjetër, Lidhja Demokratike i bën thirrje Qeverisë të mos i nënshtrohet presioneve politike dhe të gjejë një zgjidhje kushtetuese për provimin e jurisprudencës, duke garantuar standarde të barabarta për të gjithë kandidatët.

Debati për përdorimin e gjuhëve në institucionet shtetërore mbetet një nga çështjet më të ndjeshme në vend, ndërsa reagimi i fundit pritet të thellojë diskutimet politike dhe shoqërore rreth të drejtave gjuhësore dhe barazisë etnike.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër