Ligji për përfaqësim të drejtë mbetet i bllokuar në Kuvend, BDI dhe VLEN me akuza të ndërsjella

Nga D V
572 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Shkup, 28 korrik, Zhurnal.mk – Ligji për përfaqësim të drejtë vazhdon të mbetet i bllokuar në procedurën kuvendore, pasi kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi, ende nuk e ka vendosur në rend dite për votim.

Nga BDI akuzojnë se ky ligj, së bashku me disa projektligje të tjera, po mbahet në sirtar dhe pret momentin kur opozita nuk do të jetë e pranishme në seancë, në mënyrë që të hidhet në votim.

“Ne mbetemi të vendosur në qëndrimin tonë se ky ligj nuk duhet të miratohet. Si opozitë kemi shumicën e votave sipas parimit të Badenterit. Ligji për përfaqësim të drejtë aktualisht është pezull dhe pret momentin të kalojë në mënyrë të fshehtë, por ne nuk do ta lejojmë këtë. Nëse kryetari i Kuvendit e vendos në rend dite, ne do ta rrëzojmë me vota”, deklaroi Ilir Hasani nga BDI.

Nga koalicioni VLEN reaguan duke akuzuar BDI-në se, me bllokimin e ligjit, po vepron kundër interesave të shqiptarëve.

“Ali Ahmeti po bllokon Ligjin për Përfaqësim të Drejtë, duke goditur një nga shtyllat kryesore të Marrëveshjes Kornizë të Ohrit. Kjo po ndodh për shkak të etjes për pushtet. Udhëheqësia e pareformuar e BDI-së, e pakënaqur që shqiptarët e dërguan në opozitë, po ndërmerr veprime që janë në kundërshtim me interesat e shqiptarëve”, deklaroi Driton Sulejmani nga VLEN.

Lidhur me këtë çështje reagoi edhe kryeministri Hristijan Mickoski, i cili tha se Qeveria e ka përfunduar pjesën e saj dhe se tashmë vendimmarrja i takon Kuvendit.

“Projektligji ndodhet në procedurë parlamentare. Nga ky moment, përgjegjësia është e Kuvendit dhe jo e Qeverisë. Ne kemi përgatitur zgjidhjen ligjore, ajo ka kaluar të gjitha procedurat e nevojshme dhe tani është në duart e deputetëve”, tha Mickoski.

Projektligji ka kaluar procedurat parlamentare, por para se të hidhej në votim, seanca u ndërpre. Për miratimin e tij nevojitet shumica sipas parimit të Badenterit, përkatësisht shumica e votave të deputetëve të pranishëm që u përkasin bashkësive etnike. Opozita, e cila aktualisht disponon këtë shumicë, kundërshton zgjidhjen e propozuar dhe ka paralajmëruar se nuk do ta mbështesë ligjin.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër