Gostivar, 28 prill, Zhurnal.mk – Qytetarët e Gostivarit tashmë do të kenë qasje në internet falas në hapësirat publike, falë nisjes së projektit WiFi4WB (Wi-Fi për Ballkanin Perëndimor), njoftoi kryetari i Komunës së Gostivarit, Valbon Limani.
Sipas njoftimit, kjo iniciativë sjell internet falas dhe me shpejtësi të lartë, duke u mundësuar qytetarëve lidhje më të lehtë, më të shpejtë dhe pa kosto, si pjesë e përpjekjeve për avancimin e transformimit digjital në komunë.
“Gostivari tashmë ofron Wi-Fi falas në hapësirat publike”, thuhet në njoftim, duke theksuar se ky projekt forcon lidhjen e qytetarëve me botën digjitale dhe përmirëson qasjen në shërbime moderne teknologjike.
Projekti zbatohet në kuadër të programit EU4Digital Action, me mbështetje nga Bashkimi Evropian dhe Ministria Federale Gjermane për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim (BMZ), ndërsa implementohet nga GIZ.
Kjo nismë konsiderohet një hap i rëndësishëm drejt modernizimit të infrastrukturës digjitale dhe rritjes së përfshirjes teknologjike për qytetarët e Gostivarit.
