LSDM akuzon Mickoskin për standarde të dyfishta dhe ndryshim të qëndrimeve

Nga R.ZH
582 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Shkup, 28 korrik, Zhurnal.mk – LSDM ka reaguar ndaj intervistës së kryeministrit Hristijan Mickoski, duke e akuzuar atë për mospërputhje mes deklaratave të tij të mëparshme dhe qëndrimeve që mban aktualisht për çështje kyçe të politikës së jashtme dhe integrimeve evropiane.

LSDM thotë se Mickoski gjatë intervistës foli për parime, por, sipas tyre, veprimet dhe deklaratat e tij ndër vite dëshmojnë të kundërtën.

Sipas LSDM-së, kryeministri kishte deklaruar më parë se nuk do ta përdorte emrin kushtetues “Maqedonia e Veriut” dhe kishte premtuar se do ta shfuqizonte Marrëveshjen e Prespës, ndërsa tani, siç pretendojnë nga partia, mban qëndrime të ndryshme për të njëjtat çështje.

LSDM thekson gjithashtu se Mickoski më parë kishte mbështetur idenë e anëtarësimit në Bashkimin Evropian pa të drejtë vote, ndërsa tani deklaron se mbështet vetëm një zgjidhje që çon drejt anëtarësimit të plotë në BE.

LSDM e akuzon kryeministrin edhe për ndryshim të qëndrimeve lidhur me NATO-n, duke theksuar se dikur ishte kundër anëtarësimit, ndërsa sot e cilëson Aleancën si garanci për sigurinë e vendit dhe investitorëve.

Në reagim thuhet gjithashtu se Mickoski e quan opozitën tradhtare, ndërsa njëkohësisht, sipas LSDM-së, udhëheq një parti ku shumica e funksionarëve kanë shtetësi bullgare dhe kompani në Bullgari.

LSDM pretendon se ekzistojnë “dy Mickoski” – një që u drejtohet qytetarëve në vend dhe një tjetër që paraqitet ndryshe në arenën ndërkombëtare.

“Njëri është për përdorim të brendshëm, ndërsa tjetri për përdorim të jashtëm. Tani duhet t’i shohim ato ‘parime’ dhe të vendosim”, thuhet në reagimin e LSDM-së.

Reagimi i opozitës vjen pasi kryeministri Hristijan Mickoski, në një intervistë, deklaroi se Qeveria mbetet e përkushtuar ndaj integrimit evropian, por se nuk do të pranojë ndryshime kushtetuese në kushtet aktuale dhe kërkoi zbatim të standardeve të njëjta edhe ndaj Bullgarisë.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër