Shkup, 7 nëntor Zhurnal.mk – Lidhja Socialdemokrate e Maqedonisë (LSDM) pretendon se kryeministri Hristijan Mickoski ka marrë vendimin për hyrjen e Alta Bankës në tregun maqedonas dhe kërkon që Prokuroria të hapë hetim për këtë rast.
Zëdhënësja e LSDM-së, Bogdanka Kuzeska, deklaroi se nga një deklaratë e guvernatorit të Bankës Popullore, Trajko Sllaveski, konfirmohet, sipas partisë, se vendimi është marrë nën ndikim politik.
LSDM kërkon të hetohet prejardhja e kapitalit, qarkullimi i parave dhe vendimmarrja lidhur me bankën, duke kërkuar përfshirjen edhe të Prokurorisë Evropiane.
Partia opozitare gjithashtu ngre pikëpyetje për rolin e Mickoskit në kontaktet me blerësit e mundshëm të bankës dhe nëse kjo cenon pavarësinë e Bankës Popullore.
